Komisioni i Rithemelimit përgënjeshtron disa nga firmëtarët e 18 dhjetorit: Mes tyre anëtarë të PS-së

Përfaqësues të Komisionit të Rithemelimit, mbështetës të ish-kryeministrit Berisha, publikuan një listë me emra, të cilët sipas tyre nuk kanë qenë prezent në Kuvendin e 18 Dhjetorit, por që ndërkohë janë publikuar si firmëtarë të ndryshimeve statuore nga Partia Demokratike.

Përfaqësuesit e Komisionit theksuan se mes votuesve të Kuvendit të 18 Dhjetorit ka pasur persona të cilat nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike, por anëtarë të partisë Socialiste, si dhe delegatë të cilët nuk kanë qenë fare në Shqipëri atë kohë.

“Deklarojmë se këta persona, që janë deklaruar se kanë marrë pjesë në Kuvendin e 18 dhjetorit, as kanë marrë pjesë, as kanë qenë aty, por kanë qenë duke votuar në referendumin e Berishës. Ju bëj me dije se ne si degë do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë, për të vënë para përgjegjësisë ata që guxojnë apo do të guxojnë të dëmtojnë demokracinë.

Dritan Sopoti nuk është anëtarë i Partisë Demokratike, por është anëtar i Partisë Socialiste. Flamur Valteri ndodhet në Gjermani dhe në atë kohë ka qenë në Gjermani. Jurgen Baci ndodhet në Angli, vend në të cilin ka qenë dhe në atë kohë. Marion Gjinaj, është në Angli dhe ndodhej gjithashtu në Angli atë kohë. Këto janë më se të vërtetueshme, mund t’iu tregoj dhe email-et. Ka nga këta që kanë bërë dhe denoncime në televizione”, tha anëtarja e Komisionit të Rithemelimit.