Kuçovë: Vrau fqinjen dhe e hodhi në kanal. 58 vjeçari del në gjykatë pranon krimin dhe shpreh pendesë

Fetah Mara ka pranuar para gjykatës vrasjen e Fatime Sulit mbrëmjen e 20 janarit në Kuçovë. Krimi makabër u zbulua pasi gruaja ishte zhdukur prej disa orësh, ndërsa gjykata vendosi të shtunën masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për të dyshuarin kryesor të ngjarjes së rëndë.

58-vjeçari, Fetah Mara, ka pranuar vrasjen e Fatime Suli dhe hedhjen e saj në një kanal në Kozare të Kuçovës.

Në seancën e masës së sigurisë ai është shfaqur i penduar, ndërsa nuk ka dhënë shakqet që e kanë shtyrë atë të kryente ekzekutimin e 63-vjeçares.

Gjatë një seance që zgjati rreth 60-minuta, prokurori Elidon Hyseni, në bazë të provave të grumbulluara ka kërkuar vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të tij dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest në burg" pa afat.

Gjyqtarja, Matilda Llangozi, pasi u njoh me provat e organit të akuzës, e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 58-vjeçarit dhe caktoi për vrasësin Fetah Marra masën e sigurisë "arrest në burg" pa afat.

Idris Kazazi, avokati i vrasësit i caktuar nga shteti, ka deklaruar se klienti i tij e ka pranuar krimin dhe ka shprehur pendesën.

Ndërsa në lidhje me faktin që gruaja u gjet gjysëm e zhveshur në kanal,vrasësi ka deklaruar se në momentin e tërheqjes zvarrë për ta hedhur në kanal, i janë hequr rrobat.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 20 janarit në lagjen "Havaleas" në fshatin Kozare.

63-vjeçarja Fatime Suli u gjet e vdekur në një kanal, gjysëm e zhveshur dhe e mbuluar me gjethe.

Familjarët e saj e kishin kërkuar prej disa orësh dhe pasi nuk e kishin gjetur kishin njoftuar për ndihmë policinë.

Vetëm pas rreth 1 orë kërkime, gruaja 63-vjeçe u gjet në një kanal, rreth 1 km larg banesës saj.

Viktima Fatime Suli u transportua drejt morgut të spitalit Rajonal Berat, ku pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore, rezultoi se shkaku i vdekjes së 63-vjeçares ishte asfiksimi nga mbytja me duar.