Të pakënaqur nga rindërtimi, banorët e kompleksit në Durrës: Riforcimi i pallateve jashtë afateve ligjore dhe i parregullt
Procesi i rindërtimit vijon të shkaktojë pakënaqësi në vendin tonë. Së fundmi banorët e një kompleksi pallatesh në Durrës kanë protestuar, pasi sipas tyre riforcimi i pallateve jo vetëm që ka shkelur afatet ligjore por edhe nuk është duke u kryer siç duhet.
Zbatimi i projektit të rifocimit të pallatit të tyre ka ngritur në protestë banorët e kompleksit "Jedas" në Durrës.
Banorët pretendojnë se riforcimi i objektit pas dëmtimeve nga tërmeti nuk po bëhet diç duhet.
"Kemi informacion se do të bëhen ndryshime thelbësore në këtë projekt.Nga ana jonë është bërë një shkresë në shtator të 2021 për të dëmet që kanë dalë rrugës dhe jo për të shkurtuar punimet që duhen bërë."
"Ka një vit e ca dhe jemi akoma në hava."
Të dëmtuarit e tërmetit të 2019 thonë se tanimë prej 3 muajsh nuk janë trajtuar me bonusin e qirasë, ndërsa shtojnë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet.
"Kemi 3 muaj pa marrë bonusin e qirasë."
"Nuk na del rregullisht, vitin që shkoi 3 muaj pa paguar."
Sipas dokumenteve te tenderit, afati i punimeve për riforcimin e këtij pallati ishte 20 dhjetori 2021, por edhe pse afatet janë kaluar ende nuk ka ndonjë datë se kur banorët do të rikthehen në banesat e tyre.

