"5 Maji" Banorët: Pa kontratë të rregullt nuk lëvizim as nga rrënojat

Edhe pse shtepitë ua shembën, banorët e "5 Majit" ende nuk kanë një kontratë të rregullt me bashkinë dhe një vend se ku mund të jetojnë tani.

Kjo i ka bërë që të dalin përsëri në protestë edhe këtë të shtunë, 22 janar.

"Ku është kontrata që do fusësh brenda familjen. Bashkia ka detyrim të të strehojë e jo të të nxjerrë jashtë" thotë një banor.

Në atë që tashmë kthyer në një shesh me gërmadha, banorët kërkojnë angazhimin e bashkisë për zgjidhjen e shqetësimit të tyre.

Edhe një herë, ata theksuan se nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por nuk mund të pranojnë që ky zhvillim të bëhet në mënyrë të padrejtë për ta.

Shembjet e ndërtesave në zonën e "5 Majit" bëhen në kuadër të rindërtimit për ata që u dëmtuan nga tërmeti i 2019, por ky zhvillim është hasur me kundërshtime të vazhdueshme të banorëve, të cilët pretendojnë se nuk u është dhenë ajo që meritojnë.