Akuza e fortë e PD-së: Paratë e incineratorit të Tiranës do përdoren për zgjedhjet e 6 marsit. Rama po shpërblen Sakon e Durrësit

Kur ende nuk ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki, ethet dhe akuzat tashmë kanë nisur.

PS flitet që do të kandidojë në këto zgjedhje në bashkinë e Durrësit me Emirjana Sakon e cila aktualisht mban postin e nënkryetares dhe kryetares në detyrë në këtë bashki.

Për PD ky është një shpërblim që Rama po i bën Sakos pasi ajo firmosi kontratën që i jep 10 mln euro Mirel Mërtirit të Incineratorit të Tiranës.

”Ju të gjithë e mbani mend skenarin e organizuar me plehrat në qytetin e Durrësit. Pas këtij skenari këshilli bashkiak autorizoi nëkryetarin e bashkisë Emirjana Sako për të lidhur marrëveshje specifike me incineratorin e Tiranës për të çuar paratë atje për plehrat e qytetit të Durrësit. Emirjana Sako që ushtron funksionin e kryetares në detyrë në datë 27/09/2021 jep 10 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Durrësit pa garë me negocim ia jep Mirel Mërtirit, inceneratorit të Tiranës duke u bërë pjesë e grupit të strukturuar kriminal” tha Ina Zhupa, anëtarja e komisionit parlamentar të hetimit për incineratorët, në një konferencë për median mesditen e sotme.

Madje PD shkon më tej kur thotë se paratë e incineratorëve do të përdoren dhe për të fituar zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

”Këto para që çohen tek anëtarët e grupit të strukturuar kriminal patjetër që do të ndihmojnë që Emirjana Sako me siguri do të promovohet dhe do të jetë kandidate për bashkinë e Durrësit sepse patjetër këto para janë përdorur me siguri do të përdoren në zgjedhjet lokale të 6 marsit.”