Në Lezhë u rrit kriminaliteti në 2021, Prefekti: Policia të komunikojë më shumë me qytetarët
Qarku i Lezhës ka parë një rritje të kriminalitetit gjatë vitit 2021. Në analizën vjetore të punës së policisë ky fakt u pranua nga vetë drejtues të uniformave blu, ndërsa zyrtarë të tjerë bënë thirrje që policia të jetë më pranë qytetarëve dhe të rritet komunikimi me ta.
Kriminaliteti gjatë vitit 2021 u rrit ndjeshëm në qarkun e Lezhës.
Në analizën vjetore të drejtorisë lokale të policiasë, drejtori Oltion Bistri tha se krahas rritjes së kriminaliteti është rritur edhe zbulueshmëria e rasteve të krimit.
"Janë evidentuar 2219 vepra penale, janë zhvilluar 35 operacione. Janë kapur 105 persona të shpallur në kërkim, 4 në kërkim ndërkombëtar".
Prefekti i qarkut, Gjokë Jaku, duke vlersuar punën e uniformave blu kërkoi që kjo strukturë duhet të rrisë profesionalizmin e saj në komunikimin me qytetarët, duke lënë të nënkuptohet se në këtë pjesë ka ende punë për tu bërë.
"Kërkoj një farë ngritje të edukatës apo mirësjelljes qytetare të punonjësve të policisë në raport me qytetarin".
Në fjalën e tij pa praninë e mediave, drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano tha se kjo strukturë duhet të jetë ballë luftës me krimin e jo vëzhgues i saj, të jetë më bashkëpunuese dhe komunikuese me publikun e jo një uniformë që demostron frikë duke bërë të ditur se do të ketë përgjegjësi për ata që nuk kryejne detyrën sipas ligjit.

