Operacioni ndërkombëtar “Astrolabio”, ja emrat e 15 shqiptarëve dhe 3 të huajve të arrestuar
Një operacion i madh policor është zhvilluar për shkatërrimin e një linje të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme drejt BE-së.
Operacioni masiv është zhvilluar njëkohësisht në tri shtete, Shqipëri, Itali dhe Greqi, si dhe në disa shtete të tjera.
Bëhet fjalë për ekzekutimin e 47 masave të sigurimit personal të miratuar lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj Skuadre të Përbashkët Hetimore.
Konkretisht janë arrestuar në Itali 22 persona dhe 25 të arrestuar në Shqipëri, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).
Personat e arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “ASTROLABIO” janë: Dushan Spahiu, Paulin Koçi, Petrit Pashaj, Indrit Hita, Enjat Myrtaj, Roland Ramadani, Emiljano Likaj (Gaçaj), Qazim Ismailaj, Fatjon Belaj, Zamir Muliu, të gjithë banues në Vlorë.
Fatos Dusha, Robert Hysa, Arjol Lleshi, të tre banues në Tiranë
Fatjon Koçllari, banues në Durrës
Kristiana Sako, banuese në Divjakë
Muhamed Abdurrahim Sherif (Alias) Abdel Rehim Muhamed Eli, banues në Egjipt
Mustafa Hysein Koseoglu, banues në Stamboll, Turqi
Mehdi Mamushli, banues në Iran
Operacioni
Ky operacion u zhvillua së bashku me autoritetet italiane dhe greke, në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT), e krijuar midis Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali, dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordinimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL-it.
Në këtë operacion të përbashkët u ekzekutuan 47 masa sigurimi personal të miratuara lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj Skuadre të Përbashkët Hetimore.
Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjesëtarët e katër grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre, aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim drejt vendeve të tjera të BE-së.
Pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale, pasi siguronin persona të ndryshëm, kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera, kundrejt një shpërblimi monetar që varionte nga 5000 deri në 10000 euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.
Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi, me 1120 emigrantë.
Në Shqipëri janë dokumentuar shtatë episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë.
Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.


