Me 88 doza kokaine dhe 40 grirëse bimore, arrestohet 26-vjeçari nga Fieri që shiste drogë në Tabakino

Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit pasi është konstatuar duke shpërndarë lëndë narkotike e llojit kokainë.

Blutë bëjnë me dije se u bë arrestimi i shtetasit Arsen.M 26 vjeç, banues në Fier, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë policore për një shtetas që në dyqanin e tij tabakino, posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike të forta në doza, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Fier finalizuan operacionin policor të koduar “Tabacino".

Gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen "11 Janari", Fier, në dyqanin tabakino në pronësi të shtetasit A. M., si edhe më pas gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjetën në total dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 88 doza me lëndë narkotike kokainë, 40 grirëse bimore si ato që përdoren për përgatitjen e lëndës narkotike kanabis sativa, qeska dhe sende të tjera që përdoreshin për përgatitjen dhe shitjen e lëndës narkotike të llojit Kokainë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.