"Taulant Balla është I Madhërishëm," Meta: Përfaqëson shumicën, por i cakton vendin dhe pakicës
Presidenti, Ilir Meta, po bën përgatitjet e fundit për ta çuar vendin në zgjedhjet vendore të pjesshme.
Partitë politike do të kenë mundësi të regjistrojnë kandidatët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sapo Kreu i Shtetit të vendosë përfundimisht datën, 27 shkurtin apo 6 marsin.
“Dy data janë, s’ka ndonjë sekret. 27 shkurti ose 6 marsi. Për Zotin Meta më e rëndësishme në këtë rast është KQZ".
"Presidenti mendon se zgjedhjet e pjesshme të zhvillohen më 6 mars.”
Pas përgjigjes së KQZ dhe këshillit të Ministrave, Ilir Meta para gazetarëve i dha fund dilemës nëse zgjedhjet e pjesshme lokale do të mbahen në 3 apo 6 bashki.
“Bëhet fjalë për 6 bashki, nga Thethi deri në Lushnje.”
Edhe pse kishte deklaruar publikisht që nuk do të bënte konsultime publike me partitë politike, Ilir Meta në fund të mandatit të tij në krye të Presidencës ka nisur të “zbusë” marrëdhëniet politike me PS. Dhe për ta treguar këtë ai para se të hidhte firmën në dekret zhvilloi një bisedë rreth 20 minuta me kreun e grupit socialist Taulant Balla për fatin e Durrësit, Vorës, Lushnjes, Rrogozhinës, Dibrës dhe Shkodrës.
I gjendur përpara pyetjes së pse kishte ftuar vetëm Taulant Ballën duke injoruar drejtuesit e opozitës, Kreu i Shtetit tregoi edhe arsyen.
“Kam pasur vetëm një shqetësim mos kushedi i bojkotonte shumica. Taulanti është i madhërishëm, është përfaqësues edhe i shumicës por edhe i cakton vendin edhe pakicës."
Ky shqetësim i Ilir Metës mori përgjigje pozitive nga mazhoranca, pasi kjo forcë politike i garantoi Kreut të Shtetit pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.
“PS ka qenë gjithmonë gati.”
Edhe pse ka ende një çështje të hapur në Kushtetuese me PS, Presidenti beson se rrugëtimi i tij në krye të institucionit do të vijojë deri me 24 korrik.
