Aksidentet përgjakin rrugët në Lezhë e Krujë, 2 viktima në 24 orë

Dy persona mbetën viktima të dy aksidenteve të rënda në 24 orët e fundit në Lezhë dhe Krujë. Ata e çojnë në 10 numrin e personave që kanë humbur jetën në rrugët e vendit në 19 ditë të janarit.

Dy persona humbën jetën në aksidenteve rrugore përgjatë 24 orëve të  fundit.

Mikel Marashi 47-vjeç, po udhëtonte me motoçikletën e tij në superstradën Lezhë-Shkodër kur u përplas nga një makinë në vendin e quajtur kryqëzimi i Gocaj.

Goditja ishte e fortë e për pasojë ai mbeti i plagosur rëndë.

47 vjeçari u soll për trajtim të Specializuar në Spitalin e Traumës, por nuk mundi tu mbijetojë plagëve.

Superstrada Lezhë-Shkodër është një ndër akset më të rrezikshme në veri të vendit, ku mungesa e ndriçimit është një prej shkaqeve të përplasjeve fatale.

Tjetër aksident me vdekje ndodhi në Krujë në vendin e quajtur “rrethrrotullimi i Thumanës”.

Një këmbësor u përplas buzë rrugës nga një makinë.

Dy viktimat e mbrëmjes së të martës e çojnë në 10 numrin e personave që kanë humbur jetën në aksidente rrugore në javët e para të 2022.

Shkelja e rregullave të qarkullimit, vlerësohet nga ekspertët si shkaku kryesor që po përgjak rrugët e vendit.

Problemet me infrastrukturën ne disa akse janë një tjetër arsye.