Këshillimi Kombëtar, Rama: Mos lejojmë llogoret partiake dhe kacafytjet të na marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës
Kryeministri Rama ka prezantuar nismën më të re të qeverisë, platformën e Këshillimit Kombëtar. Përmes kësaj nisme, qeveria synon që të marrë mendimin e qytetarëve për çështje të rëndësishme dhe strategjike për vendin siç janë integrimi në Be, "Ballkani i Hapur" dhe legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore.
Rama përmes një videoje në Facebook tregoi mënyrat se si mund ta plotësojnë qytetarët këtë formular i cili do t'i dërgohet në derë të shtëpisë. Rama nuk harroi të thumbonte dhe PD-në duke u shprehur se ka ardhur koha të mos lejojmë llogoret dhe kacafytjet partiake të marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës.
Rama: Unë besoj se ne shqiptarët e kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke menduar për njëri-tjetrin. Ju po njiheni dita-ditës me një nismë të re te qeverisë, Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Përmes një pyetësori që po mbërrin nëpër shtëpitë tuaja duam që t'i japim jetë një kuvendimi popullor ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familje, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike.
Çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor përmes postës. Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki. Është koha të nxjerrim të gjitha mësimet tona në këto 3 dekada përpjekje demokratike.
Mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre të na e marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, të klisheve të vjetra "i djathtë", "i majtë" të besnikërisë ndaj atij apo atij tjetrit...... Është koha të flasim si shqiptarë si qytetar si njerëz, jo si luftar llogoresh mllefesh inatesh kundër njëri tjetrit. Është koha të dëgjojmë mendimet e njëri tjetrit për shtëpitë tonë të përbashkët Shqipërinë. Të këshillohemi për mendime me rëndësi.
