Shkatërrohet linja e trafikut të klandestinëve nga Lindja e Mesme në BE. Arrestime në Shqipëri, Itali e Greqi

Një operacion policor për shkatërrimin e një linje të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme drejt BE-së është zhvilluar njëkohësisht në tri shtete, Shqipëri, Itali dhe Greqi, dhe në disa shtete të tjera.

Bëhet fjalë për ekzekutimin e 47 masave të sigurimit personal të miratuar lidhur me hetimet e zhvilluara në kuadër të kësaj Skuadre të Përbashkët Hetimore.

Policia Italiane dhe ajo shqiptare dhanë një konferencë të përbashkët për median ku informuan se janë goditur 4 grupe kriminale. 

Janë arrestuar në Itali 22 persona dhe 25 të arrestuar në Shqipëri, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq)

"Organizatorët nuk merreshin vetëm me organizimin duke nisur nga nisja në mbërritje por u ofronin dhe shërbime të tjera. Udhëtimet niseshin nga Greqia ose Shqipëria"

Drejtori i policisë kriminale Tonin Vocaj tha:"Pjestarët e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 000 deri në 10 000 Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1 120 emigrantëve. Operacioni u kodua "Astrolabio"

4 grupe kriminale bashkë


Gjatë hetimeve të kryera nga Skuadra e Përbashkët Hetimore (JIT) është dokumentuar fakti se pjestarët e 4 (katër) grupeve kriminale ushtronin në bashkëpunim ndërmjet tyre aktivitetin kriminal të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe në vijim vende të tjera të BE-së, informon SPAK

Shkatërrohet linja e trafikut të klandestinëve nga Lindja e Mesme

Bëhet fjalë për 2 grupe në Itali, 1 grup në Shqipëri dhe 1 grup në Turqi.

"Nga hetimet e kryera në Shqipëri nga SPAK në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese janë dokumentuar 7 (shtatë) episode kontrabandimi të personave nga Lindja e Mesme, të kryera ne Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë."

 Janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme, si dhe është dokumentuar aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar. Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

25 te arrestuar

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin për caktim masash sigurimi të dhënë nga Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është urdhëruar arrestimi i 25 personave, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe 7 shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Hetimet e kryera nga kjo Skuadër e Përbashkët Hetimore (JIT) kanë konfirmuar dhe një herë faktin se vetëm një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet autoriteteve gjyqësore dhe ligjzbatuese të shteteve të ndryshme mund të garantojë sukses dhe efektivitet në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.