Përplasje e terror tek "5 Maji": Bashkia shemb 5 shtëpi, banorët konfrontohen me policinë, bëjnë rezistencë e vetëprangosen
Nga vetëprangosja te ngjitja në tarracë, banorët e 5 Majit tentuan rezistencë ndaj forcës së shtetit, por nuk ja dolën të mbronin shtëpitë e tyre.
Ashtu si me zgjerimin e Bulevardit të Ri dhe teatrin Erion Veliaj zbarkoi në zonën e 5 Majit në mënyrë tinzare herët në mëngjesin e 19 janarit 2022.
Me dhjetëra efektivë të policisë, mes tyre edhe forcat speciale rrethuan zonën që herët në mëngjes.
Mes përplasjeve e kundërshtive, fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit shembën 5 banesa.
Efektivët nxorën forcërisht nga shtëpitë banorët që nuk donin të braktisnin të vetmen pronë që kishin. Fatit të keq nuk i shpëtuan punonjësit e medieve dhe as ata që posedonin dokument pronësie.
"Pa asnjë lloj marrëveshjeje, bashkia nuk është paraqitur, thjesht na ka sjellë një vendim. Kemi bërë 1000 ankesa, i kemi me certifikatë pronësie."
Orenditë nuk i kishin larguar me shpresën se në fund do të arrinin një zgjidhje.
Të revoltuar e shpresëvrarë banorët thanë se do ta vijojnë betejën kundër Bashkisë Tiranë në rrugë ligjore.
"Policia e shtetit në kundërshtim me ligjin vjen sot dhe na shkatërron pronat e dhunon banorët. Sa të mbarojë protesta sot do i kallëzojmë në Prokurori për shkatërrim prone."
"Kanë ardhur më kanë shtyrë e më kanë rrëzuar."
"Policia ik, mos mbroni kriminelët. Ikni mos u bëni kriminelë dhe ju."
Pas gati 7 orësh policia dhe fadromat u larguan duke lënë pas grumbull inertesh e banorë pa strehë.
Natën do ta kalojnë në mbrojtje të asaj që e quajnë ende shtëpi të tyre pasi mes rrënojave kanë akoma sende me vlerë.
"Ne jemi aq keq sa nuk e dua as jetën tani."
"S'kam as shtëpi, as shpresë në këtë vend."
Kjo nuk është e fundit shfaqje terrori nga Bashkia Tiranë. Fadromat e IMT-së do të rikthehen pasi në total janë afro 400 banesa që do të duhen të shemben për t`i hapur rrugë projektit të rindërtimit.

