"Person me rrezikshmëri shoqërore", i shpallur në kërkim për 8 vepra penale arrestohet 28-vjeçari në Memaliaj
Një 28-vjeçar i cilësuar "person me rrezikshmëri shoqërore" i shpallur në kërkim është vënë në pranga nga policia e Tepelenës në fshatin Buz, Memaliaj.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Antenat" u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. A., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Policia informon se 28-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm penalë për veprat penale "Armëmbajtja pa leje", "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë", "Kanosja", "Vjedhja", "Mashtrimi", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Plagosja e lehtë me dashje" dhe "Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur".
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në datën 13.10.2020 i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Materialet në ngarkim të shtetasit O. A. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

