Meta për "5 Majin": Opinioni publik u trondit nga pamjet e sjelljes brutale e të dhunshme ndaj qytetarëve. T'i garantohet strehim

Presidenti Meta gjatë një deklarate për medie u ndal te shembja e ndërtesave të "5 Majit".

Ditën e sotme, 19 janar 3 familje në këtë zonë kishin afatin e fundit për të dalë  nga shtëpitë e tyre për t'i hapur rrugë procesit të rindërtimit. Meta tha se opinioni publik është tronditur nga pamjet e sjelljes brutale dhe të dhunshme ndaj disa familjeve të qytetarëve në kryeqytet.

Situata u shoqëria me tensione dhe përplasje fizike mes familjeve që nuk pranonin të lironin banesat e tyre dhe policëve që të cilët kishin rrethuar zonën që në orët e para të mëngjesit.

Presidenti bëri thirrje që t'i sigurohet strehim banorëve.

Meta: Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet e sjelljes brutale dhe të dhunshme ndaj disa familjeve të qytetarëve në kryeqytet. Këto nuk janë pamje për herë të parë dhe nuk mbarojnë as autoritetet shtetërore, bashkiake, agjencitë ligjzbatuese dhe çështjet me konflikte të tilla duhet të zgjidhen në respekt të ligjit dhe në dialog me qytetarët duke respektuar të drejtat e tyre themelore dhe duke garantuar jo vetëm respektimin e ligjit por edhe strehimin e tyre të përkohshëm.

Aq më tepër që jemi në kulmin e dimrit. I bëj thirrje dhe institucionit të Avokatit të popullit që të njihet me të gjitha veprimet që janë kryer, të gjitha shkeljet e mundshme të pretenduara që kanë ndodhur dhe të ndajë shqetësimet e tij edhe me opinionin publik.