Prodhimi vendas shkon dëm, fermerët e Ormanit: Qepa e patatja po kalben në magazina
Qepa, patatja dhe fasulja e Ormanit në Korçë janë të njohura për cilësinë e mirë. Por fermerët thonë se prodhimi po kalbet në magazina për shkak të mungesës së tregut.
Qepa, patatja dhe fasulja po mbeten pa shitur në Maliq.
Fermerët e Ormanit këtë vit nuk ankohen për çmimin, por mungesën e tregut.
"Çmimi është i mirë, por është me humbje. Çdo gjë u ngrit, u ngrit nafta."
Importi thonë se po mbyt tregjet e për pasojë prodhimi shqiptar po shkon dëm.
"Gjithë shqiptarët janë jashtë, shqiptarët shkojnë andej, prodhimi futet këtej."
"Në qoftë se shteti nuk merr masa mos futë mall që nga jashtë, të shesim mallin tonë."
Disa qindra ton prodhim ka mbetur stok në magazina dhe fermerët kanë frikë se nuk do të arrijnë dot ta shesin.
Nëse kjo ndodh, atëherë mundi i një viti pune ka shkuar dëm dhe për ta do të thotë falimentim.
"Kemi prodhuar rreth 3 mijë kuintal, kemi 2 mijë kuintal pa shitur. Do t'i hedhim në lumë."
Përgjegjës për këtë bëjnë politikat e munguara shtetërore për bujqësinë që u siguron mbijetesën.
"Plehrat kanë shkuar 100 mijë, 1 kuintal dap ose nitrat. Janë shumë shtrenjt sivjet."
Mungesa e mbështetjes thonë se po i detyron të heqin dorë nga toka dhe të marrin rrugët e emigrimit!
"Sipas gjendjes që është krijuar, do largohen të gjithë se po dalin me humbje. Nuk do mbjellim më."
Fermerët shqiptarë çdo sezon ankohen se një pjesë e mirë e prodhimit kalbet në fusha e magazina, ndërsa qytetarët nga ana tjetër përballen me çmime të rritura dhe produkte që nuk dihet nga vijnë.

