“T’i japim fund tranzicionit 30-vjeçar", misioni i Bashës: T’i themi mjaft konceptit të karrigeve të salduara me njerëz që zënë të gjitha pushtetet
Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë e FRPD në Tiranë ditën e sotme, u shpreh se misioni i tij dhe i PD është ta lërë pas periudhën e tranzicionit.
Basha: Çfarë mundësie mund t’i ofrojë politika rinisë? Në radhë të parë, mos të saldohet në karrige. Të lejojë qarkullimin e elitave, të lejojë që gjërat të ecin përpara. Pse saldohen pas karrigeve? Sepse lidhin interesat aty, interesat politike lidhen me interesat ekonomike, me interesat financiare.
Basha tha se shoqëria ndahet në dy lloje të ndryshme sipas mënyrës që vendosim. Sipas tij, kemi shoqërinë ku ecën përpara për shkak të aftësive dhe shoqërinë e patronazhit.
Basha: Kjo e dyta me siguri ju kujton zgjedhjet dhe masakrën elektorale të 25 prillit, por patronazhi është shumë më i thellë se sa kaq. Është një koncept mesjetar, “unë jam mbreti, poshtë meje janë dukët, poshtë dukëve janë kontët, poshtë kontëve janë baronët”, secili prej tyre ekziston për shkak të shkallës që ka më sipër. Ai që është më sipër iu pret kokën, ose iu fal tokën. Ti nuk merr dot punë, po nuk u fut mik dikush tek unë, po s’qe vajza e dikujt që njoh, apo akoma më keq, siç e dimë fare mirë. E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën e studimit. Ky është sistemi, këto janë shoqëritë e patronazhit, të tutelazhit, të kodoshllëkut që ta themi haptazi. Po kodoshllëkut politik në këtë rast, i cili buron nga maja e deri poshtë.
Basha tha se "që njerëzit të ecin para në bazë të meritës duhet t'i jepet fund tranzicionit ë karrigeve të salduara, të fundshpinave të politikanëve të salduara në të njëjtin rresht të parë të karrigeve, ku nuk lejojnë askënd tjetër, sepse aty ndajnë bashkë Shqipërinë si plaçkë."
