Gazi lotsjellës shpëton Bashën, PD “skenë krimi”
Pamje që nuk ishin parë kurrë dhe që do të mbahen mend gjatë, prodhoi kjo e shtunë në Partinë Demokratike, kur mbështetës të Sali Berishës u mblodhën për të nxjerrë nga selia Lulzim Bashën.
Ky i fundit kishte kohë që ishte paralajmëruar ndaj mbërriti dhe u izolua brenda herët në mëngjes bashkë me drejtuesit e deputetët që i kanë mbetur besnikë në luftën politike brenda llojit me themeluesin dhe parardhësin.
Protesta ishte paralajmëruar për në orën 12:00, e Sali Berisha ishte ende në shtëpi në kohën kur mbështetësit hapën me forcë derën kryesore të selisë dhe morën në zotërim hollin kryesor.
Nga ky moment e për tre orë në vijim nuk pati asnjë moment qetësie.
Mbështetësit e Sali Berishës e rrethuan dhe tentuan të futen brenda selisë blu në çdo anë ku përballeshin me dyer të blinduara dhe reagimin e personave që mbronin godinën nga brenda duke hedhur edhe lëndë kimike.
Nën sulm nga çdo anë, Lulzim Basha nisi zbatimin e planit që për të e kishte hartuar Policia e Shtetit.
Në 12:50 lëshoi sinjalin SOS dhe kërkoi ndërhyrje me argumentin se Sali Berisha po u rrezikon jetën dhe se gjakderdhja duhet ndalur nga institucionet ligjzbatuese.
Forcat Speciale që ishin gati i erdhën në ndihmë direkt me gaz lotsjellës dhe ujë me presion pa paralajmërim.
Dhe pas 15 minutash mbështetësit e zotit Berisha u shpërndanë, ku njësitë e policisë morën kontrollin e godinës së PD-së, duke u rreshtuar të shumtë në numër në hyrje të saj dhe duke rrethuar perimetrin e saj duke e cilësuar si skenë krimi.
Një orë pas ndërhyrjes së policisë në selinë e Partisë Demokratike mbërriti kryeprokurorja Elisabeta Imeraj, e cila nisi zyrtarisht hetimet për atë çfarë ndodhi më 8 janar në selinë e PD-së.
Në pak orë pati 31 të shoqëruar, 5 nga të cilët i përkasin mbështetësve të Bashës.
