“Ai është kanceri i PD-së”, Lulzim Basha thotë se nuk i bashkon më asgjë me Sali Berishën

Duke e cilësuar si kancerin brenda Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se me Sali Berishën nuk ka asgjë që i bashkon.

 “Nuk ka asgjë që na bashkon. Shkëputja me të ka qenë një proces i dhimbshëm i PD-së derisa arritëm të kuptojmë kancerin që kishim brenda vetes. Është përfundimtare dhe e patejkalueshme. I ka hesapet me drejtësinë për këtë sulm dhe dhunë dhe hesapet e pambyllura me demokratët. Ne kemi një objektiv, largimin e vëllait siamez të Berishës. Edi Rama po investon fort tek Berisha, ndërsa Berisha po mbështetet fort tek Edi Rama. Janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Janë pjesë e grupit na bashkoi non-grata. Janë pjesë e kastës 30 vjeçare që e mbajnë peng Shqipërinë. Shqiptarët meritojnë një politikë, normale dhe civile dhe jo një politik kriminale".

Në konferencën për mediat ai pati dhe një apel për mbështetësit e Berishës që sipas tij tashmë e kanë të qartë se ai nuk ka asnjë hall tjetër përpos atij personal.

 “Nuk ka qenë shqetësim kurrë njerëzit që u janë besuar detyra që nuk i kanë ekzekutuar. Ata do i marrin vlerësimet nga PD. Shqetësimi im ka qenë ata demokratë që kujtuan se me të vërtetë kishte një hall tjetër Sali Berisha dhe jo hallin personal. Për të gjithë ata e kam një mesazh, me një zemër të hapur dhe një mendje të hapur për të kuptuar gjithçka që është investuar me helm për të na përçarë, le të bëhemi bashkë dhe të themi të vërtetat siç janë, edhe kur ka të bëjë me Sali Berishën".