Policia i përgjigjet Bardhit: Në selinë e PD janë pyetur vetëm deputetët, personat e tjerë janë shoqëruar në komisariat

Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të  Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në lidhje me punën hetimore të Policisë që po kryhet për dokumentimin e shkatërrimit të pronës dhe akteve të dhunës të ndodhura gjatë protestës së sotme në selinë e Partisë Demokratike.

Në një deklaratë për mediat policia thotë se ndryshe nga sa pretendon Bardhi, në vijim të veprimeve procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në selinë e Partisë Demokratike janë pyetur vetëm deputetët e Partisë Demokratike.

Ndërkohë personat e tjerë që janë konstatuar brenda selisë, shton policia, janë shoqëruar në ambientet e Policisë se Shtetit, për t’u marrë në pyetje.

Policia e Shtetit thotë se do të vijojë me profesionalizëm dhe vendosmëri, veprimet ligjore, për të dokumentuar të gjitha veprimet e kundërligjshme gjatë protestës së sotme dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat përgjegjës.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit garanton qytetarët se shërbimet e Policisë janë në terren dhe janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë.