Dabulla, tre vite në shkelje të ligjit, nuk dorëzon bilance në Tatime dhe nuk emëron administrator

Prej tre vitesh kompania Nacional Bingo e Alban Dabullës nuk dorëzon as balance në Tatime por dhe as nuk emëron administrator, i cili është autoriteti që lejon veprimet financiare. Pavarësisht kësaj ende është e paqartë se si ka funksionuar subjekti që ka në administrim Telebingon. Por po ashtu i njohur dhe për lidhjet me politikën, Dabulla nuk ka paraqitur pasqyrat financiare dhe për 4 subjekte të tjera ku është aksioner.

Kompania “Telebingo” që zotërohet nga biznesmeni Alban Dabulla, rezulton me “Flamur të Kuq” të vendosur nga Qendra Kombëtare të Biznesit.

Përmes kësaj shenje ky institucion shtetëror bën të ditur se kompania nuk ka dorëzuar prej vitesh bilancet, madje dhe nuk ka bërë emërimin e administratorit pas përfundimit të mandatit.

Sipas dokumenteve afati i emërimit të administratorit të “Nacional Bingo”, Olsi Agallijaj, ka përfunduar qysh prej datës 1 dhjetor 2018.

Sipas legjislacionit për procedurat tatimore dhe Udhëzimit Nr.24 të Ministrisë së Financave, kompania në fjalë duhet të kishte bërë emërimin e pasardhësit ose dhe shtyrjen e mandatit.

Çdo veprim financiar i kryer nga persona të tjerë, cilësohet i paligjshëm. Për më tepër, “Flamuri i Kuq” në kompaninë “Nacional Bingo”, përmban shënimin se:

 “Subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme”.

Por kjo situatë problematike me kompaninë e Alban Dabullës nuk është e vetmja që ndodh. Në një vëzhgim të thjeshtë rezulton se nga 8 bizneset që ai disponon në Shqipëri, 5 rezultojnë me probleme të theksuara në mosdeklarimin e administratorit, mospagimin e bilanceve vjetore dhe mospagimin e taksave.

Kjo situatë problematike shfaqet në “Nacional Bingo”, “AB-OVO”, ku Alban Dabulla është pronar me 40 për qind të aksioneve.

Në kompaninë e basteve “EuroLive”, tek universiteti “Dita” dhe tek kompania “VAAL”, ku Dabulla zotëron 25 për qind të aksioneve dhe administratorit, Ergys Gremi, i ka përfunduar afati prej 8 prillit 2012.

Të gjitha këto kompani tashmë janë në verifikim nga prokuroria e Tiranës, për evasion fiskal dhe mospagim të taksave.

Ndërsa të vetmet kompani të Dabullës që ende nuk janë skeduar me “Flamur të Kuq”, janë “Rivjera” e ç’regjistruar në QKB në 2 gusht 2021, “Celere” dhe “Publikime Shqiptare”.

Ndërkohë një hetim i prokurorisë së Tiranës, për kompaninë “Telebingo” dhe pronarin e saj, Alban Dabulla, ka vijuar me vendosje të sekuestros prenventive, ku synohet parandalimi i tjetërsimit të aksioneve dhe fshirjes së të dhënave kompjuterike.

Sekuestroja nuk konsiston në bllokimin e aktivitetit tregtar të kompanive, por në lënien në ruajtje të aseteve, serverave dhe mos tjetërsimin e tyre nga administratori i këtij biznesi.