Rama: Gjyqtarët dhe prokurorët që s’kalojnë vettingun duhet të pezullohen
Qytetarëve të cilëve nuk u mbrojti të dhënat personale, kryeministri Edi Rama do t’u kërkojë atyre që të marrin përgjegjësitë e qeverisjes.
Për të legjitimuar nismat e mazhorancës që nga kultivimi i kanabisit, amnistia për emigrantët deri tek ashpërsimi i masave për evazion fiskal, kreu i ekzekutivit ka menduar të marrë opinionin e shtetasve nëpërmjet platformave që do të menaxhohet nga njerëzit e qeverisë.
"Ky është një Këshillim Kombëtar, kur ti merr përsipër të këshillohesh me një grup njerëzish nuk pyet se çfarë do thonë të tjerët," tha Rama.
Me këtë platformë, kreu i Këshillit të Ministrave kërcënoi drejtëpërdrejtë gjyqtarët dhe bizneset e mëdha.
"Janë jo pak njerëzit që kërkojnë që biznesi i madh kur bën evazion të goditet pa mëshirë. Ashpërsim qoftë i masave deri dhe në humbje të lirisë të biznesmenëve të mëdhenj. Gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e kanë kaluar vettingun, por që marrin vendime haptazi të paligjshme duhet të pezullohen në vend," tha Rama.
Edi Rama do të pyesë shqiptarët për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, edhe pse ky vendim nuk varet nga as nga Kryeministri dhe më pak nga qytetarët.
Pas 2 vitesh e gjysmë që po punon me Open Balkan kundër çdo kritiku, Kryeministri do të pyesë shqiptarët çfarë të bëjë me këtë nisëm.
"Nuk diskutohet që unë i qëndroj të gjitha atyre që kam thënë për Ballkanin e Hapur dhe jam i bindur, por e kemi të nevojshme ne që qeveria ta dëgjojë mendimin e të gjithëve," tha ai.
Qeveria ka ide mjaftueshëm për koncensionet dhe nuk ka nevojë të pyesë qytetarët.
"Koncesionet dhe PPP nuk janë shfaqje të huaja, kështu që nuk kemi çfarë konsultojmë," tha ai.
Mazhoranca pasi ju hoqi të drejtën shqiptarëve për t’u shprehur me referendum, tashmë lideri i kësaj force nuk njeh me as PD.
"Sot nuk ka më dy parti, sot ka një sistem komplet disfunksional bravash, klithmash dhe shqelmash," tha Rama.
Në kohën që kryeministri Rama fliste para gazetarëve, në whatsapp qarkulloi lista me targat e automjeteve të qytetarëve.
Por për këto publikime, qeveria e Edi Ramës ka mbetur pa fjalë dhe pa ndëshkim.

