Skandali me publikimin e të dhënave personale, prokurorja Imeraj tregon a do pyetet Rama: Konferencë tjetër për zbulimin e autorëve
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet lidhur me skandalin e rrjedhjes së të dhënave sensitive të qytetarëve shqiptare që nisi me pagat e muajit janar e prill në sektorin publik dhe privat dhe sot vijoi me targat e automjeteve.
Në fokus janë Drejtoria e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve shoqërore, dy institucionet që i zotërojnë këto të dhëna.
Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, e pyetur se në çfarë faze janë hetimet dhe a do të pyetet kryeministri Rama, i cili u shpreh se është në dispozicion dhe ka të dhëna që mund të ndihmojnë hetimin e organit të akuzës dha këtë përgjigje.
Imeraj: Duke qenë se është një çështje sensitive dhe për shkak të vëmendjes së shtuar jo vetëm të gazetarëve por edhe opinionit publik në terësi prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë po kryen çdo veprim të nevojshëm dhe të duhur hetimor brenda një kuadrati të lejuar nga ligji. Jemi të bindur që deri në fund të këtij hetimi veprimet do të jenë intensive dhe do të konkludohet me vendimmarrje konkrete. Grupi hetimor është i përkushtuar në drejtim të kryerjes së veprimeve të duhura hetimore. Për çështjen në fjalë do të kemi një konferencë tjetër me zbulimin e autorëve.