Në mesin e skandalit të publikimit të pagave, qeveria kërkon miratimin e projektligjit për ripërdorimin e të dhënave

Në kulmin e publikimit të pagave, kartave të identitetit, vendeve të punës për rreth 900 mijë persona, qeveria kërkon miratimin e një projektligji ku parashikohet e drejta e ripërdorimit të të dhënave në sektorin publik.

Bëhet fjalë për dokumente ekzistuese që mbahen nga organet dhe sipërmarrjet publike por edhe për ato raste që kryejnë veprimtari sektoriale sipas ligjit për prokurimet publike në ofrimin e shërbimeve në sektorët e ujit, të energjetikës, të transportit dhe të shërbimeve postare.

Po ashtu ligji do të funksionojë dhe për operatorë të shërbimeve të transportit publik, rrugor, ajror e detar.

Në argumentet e paraqitura shtohet se nisma përafrohet me legjislacionin evropian për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik.

Gjithashtu ato do të mund të përdoren për të dhëna kërkimore, statistika, rezultate eksperimentesh, matje, vëzhgime që vijnë nga puna në terren, rezultate anketimesh, regjistrime intervistash e imazhe, duke përfshirë dhe të dhënat meta (metadata), specifikime dhe objekte të tjera digjitale.

Megjithatë në draft shtohet se ndalohet dhënia e dokumenteve që cenojnë sigurinë kombëtare dhe konfidencialiteti tregtar por edhe kur të dhënat janë personale.

Në projektligj shtohet se të drejtën për të dhënë informacione do ta kenë të gjithë institucionet që kanë të dhëna publike.