"Sot nuk ka dy parti në Shqipëri", Rama: Ka një sistem disfunksional bravash, klithmash, shqelmash dhe konfuzioni publik
Kryeministri Rama ka prezantuar nisëm Këshillimi Kombëtar. Qytetarëve shqiptarë do t'i dërgohen pyetësorë dhe do të japin mendimin e tyre për çështje të rëndësishme të vendi, si integrimi në BE, pensionet apo Ballkani i Hapur.
PD së bashku me PS i kanë hequr të drejtën shqiptarëve të japin opinionin e tyre me referendum. Ai u pyet nga gazetarja e RTV Ora: Pse duhet t'i besojnë shqiptarët dhe t'i përgjigjen pyetësorëve apo thjesht për ta përdorur si justifikim për t'i përkthyer më pas në ligje?
Rama tha se nuk ka nevojë për justifikime pasi ka votat.
Rama: Ne kemi votat, kartonët dhe po të ishte për t'i bërë të gjitha këto, i kishim bërë. Për sa i përket që ne i kemi hequr njerëzve të drejtën për referendum kjo mund të jetë një temë e Këshillimit Kombëtar, nëse njerëzit duan që të ndryshojë ligji për referendumet. E treta, ju flisni për dy parti. Sot nuk ka dy parti në Shqipëri aktualisht, sot ka një sistem disfunksional, bravash, klithmash, shqelmash edhe konfuzioni publik të përditshëm. Unë s'kam ndërmend të humbas kohë me këtë sistem.
Më kanë besuar mua dhe PS një mandat të tretë dhe ne duam ta përdorim çdo minutë, çdo sekondë për të bërë më të mirën. Ne na duhet të këshillohemi dhe i ftojmë të gjithë të na japin mendimin e tyre. Ky nuk është një proces ku do futemi me parti. Një parti e vetme këtu nuk bën dot një proces, një parti e vetme i vë bravën procesit dhe tjetra nxjerr shqelmin për të thyer bravën.
Rama tha se do ta çojnë deri në fund procesin e Këshillimit Kombëtar.
