“Basha-Berisha” në Gjykatë, po shqyrtohen kërkesat e dy palëve për ndryshimet në statut
Sali Berisha dhe Lulzim Basha duket se do të përballen në gjykatë lidhur me përplasjen brenda partisë demokratike. Pas kërkesës së grupit të rithemelimit për regjistrimin e ndryshimeve në statut sipas kuvendit të 11 dhjetorit, përfshirë shkarkimin e Bashës, në gjykatë ka mbërritur edhe kërkesa për ndryshimet e kuvendit të dytë, të cilat përjashtojnë Berishën. Kërkesat sipas gjykatës, po shqyrtohen nga gjyqtarë të ndryshëm.
Përplasja mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës duket se tashmë ka përfunduar zyrtarisht në dyert e gjykatës së Tiranës. Kjo e fundit njoftoi se ka nisur shqyrtimin e kërkesave të paraqitura nga dy palët për ndryshimet statutore të dy kuvendeve të 11 dhe 18 dhjetorit, cilat kanë dy gjyqtarë të ndryshëm.
Në një deklaratë, gjykata theksoi se në 13dhjetor 2021, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Gazment Bardhi ka paraqitur kërkesën me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021. kjo kërkesë pasi ju nënshtrua shortit dhe po gjykohet nga gjyqtarja Blerina Muça.
Po kështu, në datë 15.12.2021, në Gjykatë është paraqitur kërkesa me kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD, me objekt: Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor. Kjo kërkesë u hodh në short dhe po shqyrtohet nga gjyqtari Agron Zhukri.
Gjykata, thekson se në zbatim të Kodit të Procedurës Civile, nuk mund të refuzojë të shqyrtojë çështjet që i paraqiten për shqyrtim, për palët që vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.
Pasi gjyqtari Agron Zhukri, është njohur me çështjen, ka vlerësuar se ka shkaqe të arsyeshme për të mos marrë pjesë në shqyrtimin e saj, dhe i ka paraqitur Kryetarit heqjen dorë nga gjykimi i çështjes. Kryetari i Gjykatës, pasi ka vlerësuar arsyet e paraqitura nga gjyqtari ka vendosur mospranimin e kërkesës dhe vijimin e gjykimit të çështjes nga Agron Zhukri.
Sipas njoftimit, argument i paraqitur në heqjen dorë ishte një gjykim civil ndaj një personi ndërkohë që në rastin konkret kërkesa e dorëzuar në gjykatë është bërë nga një grup personash. Në deklaratë theksohet se dy gjyqtarët Blerina Muça dhe Agron Zhukri, kanë dijeni për të dyja kërkesat e paraqitura të cilat do të gjykohen në zbatim të Ligjit “Për partitë politike”, të ndryshuar.
