Rama do pyesë shqiptarët për gjithçka, vetëm për koncesionet jo

Shqiptarët do të pyeten për gjithçka që ka të bëjë për Shqipërinë vetëm për koncesionet jo. Këtë e bëri të qartë kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp ku prezantoi dhe nismën “këshillimi kombëtar për Shqipërinë”
Rama vijon të mbrojë koncesionet dhe PPP e miratuara gjatë kohës së qeverisjes së tij si vepra që I kanë sjellë vetëm të mira shqiptarëve.

Edi Rama: “Cila do të ishte pyetja që do i bënim shqiptarëve. Është e vërtetë që Shqipëtarët paguajnë për efekt të koncesioneve të caktuara por ja që na del që shqiptarët paguajnë për koncesione të trashëguara. Ndërsa për koncesione e PPP të ndërtuara gjatë qeverisjes sonë, ky është dallimi i madh që shqiptarët i marrin shërbimet pa paguar.

Paguan shteti që ata ta bëjnë falas. Shteti ka marrë përsipër të paguajë partnerin privat që ka bërë investimin bazë. Shqiptarët po njohin Dibrën. Nuk e njohin një pjesë e madhe. Edhe unë po të mos isha bërë kryetari I PS-së mbase nuk do të kisha shkuar kurrë. Përse do shkoja se ishte tmerr rrugë.

Sot pa mbaruar akoma, se kemi tunelin, që do e bëjë Dibrën jastëkun e kryeqytetit shkojnë e vijnë studentët dibranë shkojnë e vijnë në Dibër sot, nuk jetojnë me qira në Tiranë. Ku është e keqja e këtij partneriteti. Natyrisht që investon një privat për ta bërë sot, se po ta merrte shteti do e bënte me vite të tëra.

Shqiptarët bëjnë dializa në kushte ultramoderne.  E rëndësishme nuk është a bën a nuk bën koncesioni, e PPP. Shqiptarët sot kanë kryeqytetin e tyre që nuk kanë më tym me plehra, Elbasanin që ishte gangrenë plehrash, nuk ka më tym. Kanë Fierin. Patjetër që këto janë PPP por fitojnë shqiptarët. Është shumë e thjeshtë."

Lefter Koka ish ministri i Mjedisit i qeverisë Rama u arrestua nga SPAK më 14 dhjetor pasi akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash lidhur me incineratorin e Elbasanit.