Shpërdorim detyre dhe korrupsion, arrestohen 4 funksionarë të Tatimeve në Berat
Policia e Beratit ka finalizuar dy operacione të koduara “Tatimet” dhe “Stop” dhe ka arrestuar 4 funksionarë të tatimeve të cilët akuzohen për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Operacioni "Tatimet"
Në kuadër të operacionit "Tatimet" u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, si më poshtë:
“Arrest në burg” për shtetasin Zeni Myftari, 50 vjeç, banues në Berat, inspektor i tatimeve në DRT Berat, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
“Arrest në shtëpi” për shtetasit Albert Zaimi , 66 vjeç, banues në Skrapar dhe Vladimir Shehu, 42 vjeç, banues në Drenovic, Berat (të dy administratorë subjektesh), për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Zeni Myftari gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt, nga shtetasitAlbert Zaimi dhe Vladimir Shehu, duke i favorizuar në kontrollin e dokumentacionit të subjekteve të tyre.
Operacioni "Stop"
Në kuadër të operacionit "Stop" u bë ndalimi i shtetasit Valmir Liçollari, 40 vjeç, banues në Skrapar, specialist pranë DZM Berat, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky shtetas, gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, ka përfituar vlera monetare në mënyrë të parregullt nga individë dhe subjekte, të cilët ushtronin aktivitetin e paligjshëm të nxjerrjes së pllakave të gurit në zonën e mbrojtur të Malit të Tomorit.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre rasteve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyres”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.