Mashtrimi me Call Centera nga Tirana: 35 të arrestuar mes tyre edhe izraeliti, organizatori i skemës së mashtrimit

"Komunikimi" është operacioni që zbuloi një skemë mashtrimi kompjuterik të shtetasve të huaj duke arrestuar organizatorin një shtetas izraelit dhe bashkëpunëtorët e tij. 

Deri tani janë arrestuar 35 persona ndërsa 20 të tjerë po hetohen në gjëndje të lirë. Në Tiranë ishte ngritur subjekti tregtar “RG Capital" i cili funksiononte si bursë (forex).   

Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit Tonin Vocaj, së bashku me prokuroren e Rrethit Gjyqësor Tiranë Elisabeta Imeraj dolën në konferencë për shtyp  (24 dhjetor 2021) për operacionin policor të koduar “Komunikimi”.

Si funksiononte 

"Nga hetimet e zhvilluara rezultonte se prej disa vitesh një subjekt tregtar nën emërtimin “RG Capital“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave të thirrjeve telefonike ose siç njihet në vendin tonë “Call center“.

Punonjësit kontaktonin shtetas të huaj dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik, duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare të cilat varionin nga 500 euro e sipër.

Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë"

"Personat e kontaktuar nga kjo skemë mashtrimi janë mbi 2 milionë dhe ndodhen në shtete të ndryshme të botës" tha Drejtori i policisë Kriminale Tonin Vocaj.

Arrestimi
U arrestuan në flagrancë 35 shtetas, nga të cilët njëri i huaj, konkretisht shtetasi izraelit Refael Genish, i cili nga hetimet ka rezultuar se është organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 20 shtetas.

Sekuestrimi

Gjithashtu u kontrolluan disa ambjente në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:

                123 pajisje kompjuterike

                60 pajisje të telefonisë së lëvizshme

                3 laptop

                2 USB

                karta të bardha të ngjashme me ato të bankave

                një sasi e vogël lënde narkotike e llojit cannabis sattiva.

 

Bëhet fjalë për hetimet intensive prej disa muajsh të zhvilluara në vendin tonë të cilat bënë të mundur identifikimin e drejtuesve të këtij subjekti, skemën e funksionimit, si dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë aktivitet kriminal.