Ilir Daja paralajmëron: Dikush duhet të mbaj përgjegjësi, do të flas me drejtuesit
Tepër i zhgënjyer dhe shumë i emocionuar u shfaq Ilir Daja në fund të derbit të humbur me Tiranën. Trajneri i të kuqve shpjegoi fillimisht ndeshjen duke bërë analizën dhe gabimet e bëra në fushë.
“Pësojmë gola jashtëzakonisht të lehtë. Me daljen e Seferit kaluam në 4-2-3-1, pasi futëm edhe Kaçen. Menduam të rrezikonim më shumë. Të pësosh gola në atë mënyrë me tre mbrojtës tonë që nuk mbyllin portën. Janë defekte që na ngarkojnë edhe ne me përgjegjësi. Tentuam ta fitojmë ndeshjen, ky është futbolli, por mund të kishim marrë më shumë nga ky derbi. Nuk e kishim menduar se do kishim kaq pak pikë, por të gjithë bashkë kemi përgjegjësi. Duhet të reflektojmë të gjithë, nga unë i pari e deri te lojtari më i ri.
Ekipi prodhon lojë. Nuk flas për derbin, pasi nuk ka ndonjë prodhim loje. Ka dyluftime, por na mungojnë shumë pikë në bazë të asaj që kemi paraqitur.”
Pas analizës për ndeshjen trajneri Ilir Daja bën edhe një paralajmërim që nuk e përjashton largimin apo dorëheqjen.
“Jemi në pozicion jo të mirë, por do ulemi me drejtuesit për të vendosur se çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Në ditët në vazhdim do flas me drejtuesit e klubit, në lidhje me të ardhmen time dhe të lojtarëve. Në këtë situatë të vështirë që jemi, dikush duhet të marrë përgjegjësinë, ose disa të marrin përgjegjësi. Nëse zgjidhja më e mirë është ta marr unë përgjegjësinë, edhe për ato gola që kemi pësuar, duhet bërë një zgjidhje. Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë e kësaj situate ku ndodhet Partizani”, u shpreh trajneri Ilir Daja/Ora News/.
