Gola, incidente dhe 103 minuta lojë, Tirana mposht 2-1 Partizanin në derbi

Në “Air Albania”, ndeshja e fundit e Superiores për këtë vit ishte derbi i kryeqytetit që duhej të ishte një kartolinë për futbollin shqiptar por që në fakt zhgënjeu nga ana e tifozerisë për shkak të incidenteve ndryshe nga spektakli në fushë.

2-1 ishte rezultati final për Tiranën që me lojë dominoi ndaj Partizanit por dueli u karakterizua nga shumë incidente.

 

Që në nisje, tifozët e Tiranës u shfaqën shumë problematikë teksa hodhën tymuese në fushë duke ndërperë pak minuta duelin.

 

Me të rinisur, Tirana  bënte lojën duke kontrolluar ndeshjen ndërsa rasti i parë i pastër vjen për Partizanin në 22’ ku nuk përfiton nga një kundërsulm i shpejtë.

Në 26’, Teqja gabon në dalje duke i dhënë mundësinë Tiranës të shënojë Sota e eviton topin të shkojë në rrjetë.

Janë minuta të mira për bardheblutë që arrijnë dhe të realizojnë në 27’ ku në një goditje këndi, Ngoo gjuan por topi i përplasur shkon te Përgjoni që e shtyn në rrjetë.

 

1-0  për Tiranën teksa Partizani nuk jep shenja por ndeshja ndërpritet në 35 për t’i ardhur në ndihmë një tifozi që nuk u ndje mirë në golin e bardhebluve.

Pjesa e dytë është më agresive për skuadrën e Dajës por protagonist janë sërish tifozët që hedhin tymuese dhe në 61’ ka një tjetër ndërprerje.

 

Kur Tirana dukej e qetë në menaxhimin e rezultatit në 78’ Toli bën një ndërhyrje të gabuar duke penguar në zone Carën dhe për arbitrin Xhaja është penallti me Bekajn që e pret gjuajtjen e Junior por sipas pamjeve nuk mbaron me kaq.

Lojtarët e Tiranës janë futur në zone para se topi të goditej dhe penalltia përsëritet ku kësaj radhe Junior nuk gabon, 1-1 rezultati.

Vendimi i arbitrit nervozon tifozët bardheblu që ndodheshin pas portës së Bekaj të cilët shkulin edhe stola duke i hedhur në fushë.

Ndërpritet disa minuta ndeshja për të qetësuar situatën e me të rinisur, Tirana i afrohet golit me Ngoo, gjuajtja e të cilit prek shtyllën.

Tirana po jepte sinjale dhe në minutën e 100’ arrin dhe të gjejë golin me anë të Redon Xhixhës. Dukej e pabesueshme por lojtari i Tiranës tregohet shumë i zgjuar me lëvizjen e tij duke tundur rrjetën. Në fund 2-1 mbyllet ndeshja me shumë emocione dhe me plot incidente, rezultat që kënaq Tiranën e cila e mbyll vitin me 5 pikë më shumë se Kukësi./Ora News/.

Poll