Martini: Më vjen turp nga kjo humbje. Ramadani e priste më parë fitoren e Egnatias
Në “Elbasan Arena”, kampionët në fuqi të Teutës mbyllën një vit shumë të sukseshëm në total por për pjesën e parë të këtij sezoni ka bërë shumë keq. Sot pas humbjes me Egnatian, u pa tepër i mërzitur dhe i zhgënjyer për disfatën e dytë radhazi pas rikthimit.
“Krijuam raste në pjesën e parë, por nuk shënuam. Janë ndeshje që duhet të fitohen, më vjen turp nga kjo humbje. Kisha besim se do e kthenim lojën kur ishim 0-1 por pas gabimit që bëmë te goli i dytë, normalisht ndihet shumë keqardhje. Pashë një pjesë të dytë që nuk ishim në ritmin e duhur. Ishte si nata me ditën krahasuar me ndeshjen me Tiranën, më vjen keq. Kishim shpirt dhe grintë me Tiranën, më duket sikur lojtarët e menduan të fituar ndeshjen sot. Karakteri i skuadrës nuk është i vjetshmi, mungon edhe agresiviteti dhe gjendja fizike. Ka shumë gjëra për t’u rregulluar”, deklaroi trajneri i kampionëve në fuqi.
Në anën tjetër, feston Zekirija Ramadani i cili shijon 3 pikët e para në krye të Egnatias që sipas tij mund të vinin edhe më parë nga paraqitja e rrogozhinasve në fushë.
“Prisnim fitore edhe më herët, në çdo takim jemi futur për të marrë maksimumin. Sot erdhi kjo fitore që na jep qetësi, por jo komoditet. T’i bëjmë pushimet siç duhet, të pushojë edhe truri i lojtarëve, pasi presioni i rezultateve ka ndikuar. Uroj futbollistët për angazhimin dhe fitoren. Kisha frikë vetëm pankinën, pasi kishim pak alternativa dhe lodhja do ndikonte që të bënim ndërrime të tjera. Linja mbrojtëse funksionoi jashtë mase mirë. Ishim afër njëri-tjetrit, do përmirësohej gabimi nga tjetri. Na bëri të kishim njëfarë sigurie, pasi jemi ndëshkuar nga mospërqendrimi në ndeshjet e fundit. Trajneri i vitit 2021? Në Kosovë shpallet ai që del kampion”, deklaroi Zekirija Ramadani./Ora News/.
