Egnatia heroike, mposht Teutën dhe e bën të zymtë rikthimin e Martinit

Në “Elbasan Arena” u luajt një tjetër sfidë e rëndësishme si për Europën ashtu edhe për mbijetesën. Teuta, kampionia në fuqi që kërkon të rikthehet në shina me rikthimin e Edi MArtinit pësoi një tjetër humbje shokuese kësaj radhe.

 

Ishte Egnatia që arriti të gjunjëzojë kampionët në fuqi, ku edhe pse kishte 5 humbje radhazi gjeti kurajon dhe mënyrën për të fituar ndaj Teutës në “Elbasan Arena”.


 

Pjesa e parë nisi e qetë dhe me kontrollin e Teutës por në 27’, Egnatia dha shkëndijën e parë kur pretendoi për një penallti që u anulua me VAR.

Gjithsesi rrogozhinasit vijojnë të sulmojnë dhe në 45’+5, Artur Magani shënon për miqtë e me gjithë analizën nga VAR, goli nuk anulohet duke i dhënë avantazhin skuadrës së Ramadanit.

 

 

Në pjesën e dytë, Rrogozhina i lë tërëisht lojën Teutës e cila tenton të gjejë portën por has në një mur të pakalueshëm. Në 67’, Egnatia gjen sërish mënyrën duke tronditur Teutën sërish me Artur Maganin i cili mori një top dhuratë nga Ivanoviç.

Me një rezultat të tillë, durrsakët hidhen përpara pasi nuk kanë çfarë humbasin dhe në 78’ me anë të Giorgiev shkurtojnë diferencën në 2-1.

 

Minutat e mbetura janë paksa të tensionuara me ekipin e Martinit që hidhet përpara por sfida mbyllet 2-1 me 3 pikë të arta për mbijetesën për Egnatian që shkon në kuotën e 14 pikëve./Ora News/.