Brdariç: Me Kukësin japim maksimumin, nuk jemi ekip i lehtë për t’u mundur
Në “Loro Boriçi”, Vllaznia do të mbyllë vitin 2021 me një supersfidë si ajo ndaj Kukësit, me dy skuadra që po luftojnë për kreun dhe për titullin ketë sezon. Trajneri Brdariç në konferencën për shtyp foli sot për këtë duel duke vënë theksin se Vllaznia e tij ashtu si Kukësi janë skuadra që prodhojnë lojë të bukur dhe futboll.
“Ne duhet të jemi shumë të përgatitur ndaj Kukësit. Skuadra duket me shumë vetëbesim dhe e gatshme për nesër. Si ne dhe Kukësi, jemi skuadra që duam të luajmë futboll. Duhet të përqendrohemi në mbrojtje dhe të tregojmë se nuk jemi ekip i lehtë për t’u mundur. Longo tha se Tirana dhe Partizani janë ekipet më të mira? Ai i ndryshon shpesh mendimet e veta. Për mua ka rëndësi të fitojmë nesër, pastaj secili mund të thotë atë që do”.
Lidhur me këtë duel, gjithashtu trajneri i shkodranëve tha se ai mund të sigurojë që ekipi jep maksimumin dhe se ai nuk mund të bëhet Zot e të vendosë për 3 pikët.
“Kemi bërë analizën e duhur të Kukësit. Ata e shijojnë të luajnë këtu, sepse është një stadium shumë i bukur. Dua të falënderoj fansat, ata më kanë mbështetur shumë. Duhet të jemi krenarë për ta, nesër duhet të marrim pikë për ta. Të premtoj 3 pikë? Nuk jam Zoti, jam një trajner. Ajo që premtoj është të japim maksimumin dhe t’i shkaktojmë stres Kukësit. Kemi besim tek ekipi ynë, kemi lojtarë të gatshëm për të treguar veten. Merkato? Jemi të hapur për përforcime”, deklaroi trajneri gjerman përpara kësaj sfide./Ora News/.
