Memelli: Vllaznia nuk vodhi asgjë. Brdariç: Jemi konkurrues, e dimë çfarë të bëjmë
Në Shkodër, Skënderbeu pësoi një humbje që e mban ende në zonën e ftohtë të renditjes por për Memellin ekipi korçar bëri me mirë se rivalët dhe golat janë gabime të të tijve. Ai vlerësoi skuadrën ndërsa tha se Vllaznia shfrytëzoi më mirë rastet e krijuara.
“Ishin dy episode që bënë të vinte humbja. Komplimente Vllaznisë, skuadra që bën më pak gabime fiton lojën. Goli i parë erdhi nga mosmarrëveshja e Rexhepit me Bajramin. Ndodh, lojtarët janë humanë, por Rexhepit po i ndodh pak si shpesh, duhet të punojë më shumë në stërvitje të kapë formën e tij më të mirë.
Vllaznia ra fizikisht, ndërsa në po rriteshim, pasi aspekti fizik është një pikë e fortë e jona. Konkretizimi nuk ishte në nivelin e javëve të para, prandaj nuk shënuam, edhe ne si staf duhet të punojmë më shumë, pasi ndeshja e radhës është ndaj një rivali direkt.Nuk erdhëm si inferiorë, erdhëm si të barabartë. Vllaznia nuk vodhi gjë, por fitoi nga dy gabimet tona, që ndodhin në futboll. Nuk ishim konkret në 1/3-n e kundërshtarit, pasi deri aty shkuam shumë mirë. Loja e skuadrës më kënaqi, shpirti i garës ishte i jashtëzakonshëm dhe ushtruam presion, por na lind detyra si staf të jemi më konkret në 1/3-n e kundërshtarit. Kastrioti? Çdo sfidë është e vështirë. Erdhëm këtu për të bërë mirë, dhe besoj se bëmë mirë. Ne futemi të marrim maksimumin në çdo ndeshje, sot e bëmë me dinjitet, edhe pse Vllaznia ka më tepër eksperiencë se ne”, u shpreh trajneri i ekipit korçar.
Në kampin tjetër, trajneri Brdariç qëndron me këmbë në tokë duke vlerësuar lojtarët për paraqitjen, edhe ata që nuk janë titullarë dhe sot bënë më së miri detyrat që u takonin.
“Mendoj se tri pikët ishin shumë të rëndësishme. Duhet të punojmë shumë, mbi limitet tona, edhe kur nuk kemi topin në kontroll. Me përkushtimin e futbollistëve mendoj se e merituam fitoren. Jemi konkurrues dhe u kemi thënë futbollistëve që duhet të jenë gati kur t’u jepet mundësia. Ata duhet të tregojnë dëshirë dhe të thonë: “po, jemi gati në çdo moment”. Është një punë e madhe nga ana psikologjike, që futbollistët, që nuk kanë luajtur shumë, të jenë të gatshëm edhe në anën fizike. Ndeshjet e fundit ishin shumë të vështira, sepse luajtëm edhe më një lojtar më pak. Kemi sakrifikuar në ndeshjet me Teutën dhe Partizanit.
U pa qartë, kur kishim topin, në disa momente çalonim. U munduam të ishim mirë në fazën mbrojtëse dhe në kundërsulm, derisa shënuam golin e dytë. Ne pretendentë? Duhet t’i analizojmë ndeshjet shumë mirë, që të zbulojmë se ku jemi, dhe mendoj se në të kaluarën shumë persona kanë menduar se pësuam shumë gola. Njerëzit kanë dëshirë të shohin futboll sulmues, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm edhe në tranzicionin difensiv, edhe në kundërsulm. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, deklaroi trajneri Brdariç./Ora News/.
