Arrihet marrëveshja me PAK, Qeveria ka afat 3-6 muaj për plotësimin e kërkesave të tyre
Kreu i Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë, Bajram Tirana, u shpreh optimist për plotësimin e kërkesave pas takimit me Ministren e Financave dhe atë të Shendetësisë. Ai u shpreh se është lënë një afat 3-6 muaj për plotësimin e kërkesave.
Tetraplegjikët dhe paraplegjikët këtë të premte zhvilluan një takim për gati 2 orë me Ministren e financave dhe atë të Shëndetësisë për plotësimin e kërkesave të tyre.
"U fokusua te tre pikat më emergjente siç është energjia elektrike, pagesa e kujdestarit dhe paketa higjienike që ka kosto shumë marramendëse. Për kujdestarinë dhe paketën higjienike me 20 të këtij muaji do ngrihen tre komisione ku do bëhet vlerësimi i para dhe tetraplegjikëve dhe pastaj gradualisht do fillojë financimi i tyre sipas diskutimit që bëmë sot".
Pasi dolën nga takimi, kreu i Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë, Bajram Tirana, u shpreh optimist për plotësimin e kërkesave, ku si afat i është lënë një periudhë nga 3 deri në 6 muaj.
"Shpresojmë që këto komisione të mblidhen sa më shpejt, do jemi dhe ne pjesë e komisioneve. Për paketën higjienike dhe kujdestarinë u la 3-6 muaj për komisionet. Do fillojë me Tiranën dhe pastaj do shpërndahen në rrethe".
Para dhe tetraplegjikët kërkojnë rritje të pagesave për trajtimin e tyre, rikthimin e pagesës për energjinë elektrike, pagën për kujdestarinë, si dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga qeveria.

