U arrestua për grabitjen me dhunë të biznesmenit në Nikël, Apeli liron Saimir Kuçin
Gjykata e Apelit Tiranë ka liruar nga qelia personin e vetëm të arrestuar për grabitjen me dhunë të biznesmenit Nazmi Cangu në Nikël të Krujës.
Apeli vendosi sot (10 dhjetor) të ndryshojë masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj Saimir Kuçit të vendosur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, duke e lënë në "arrest shtëpie".
Saimir Kuçi, i vënë në pranga si një nga autorët e dyshuar të grabitjes me dhunë në banesën e tij në Nikël të Krujës, të biznesmenit Nazmi Çangu.
Grabitja me dhunë e Nazmi Çangut ndodhi orët e para të mëngjesit të 24 Tetorit, kur sipas dëshmisë së biznesmenit një grup personash të maskuar dhe armatosur u futën në vilën e tij.
Sipas biznesmenit, autorët e dhunuan në mënyrë barbare duke i prerë edhe një gisht, ndërsa i terrorizuan familjarët.
Sipas pretendimeve të Nazmi Çangut, grabitësit i morën një armë gjahu shotgan, bizhuteri e monedha floriri, si dhe para që kapnin vlerën e afro 120 mijë euro.
Policia identifikoi Saimir Kuçin, dhe Artan Prengën mes autorëve të dyshuar.
Sipas burimeve, ata u tradhtuan nga gjurmët e ADN-së që lanë në vendngjarje.
Saimir Kuçi u arrestua në banesën e tij në Tiranë, ku iu kapën një sërë mjetesh që përdoren për grabitje, si bllokues valësh, maska e doreza dhe bizhuteri e sende me vlerë që dyshohen të vjedhura.
Artan Prenga dhe bashkëpunëtorët e tjerë në grabitjen e biznesmenit Çangu janë në arrati.
Saimir Kuçi është dënuar më herët si drejtues i grupit të hajdutëve të ashtuquajtur Hijet e Natës, përgjegjës i faktuar për të paktën 11 grabitje në disa qytete të vendit.
