‘Numri i testimeve ka rënë” Alimehmeti: ‘Delta’ mbizotërues në të gjithë botën, dimri më i lehtë se 1 vit më parë

Mjeku Ilir Alimehmeti shprehet se situata epidemiologjike në vendin tonë është stabël.

Në një intervistë për Ora News, mjeku u shpreh se numri i rasteve të reja nuk është shumë i madh, por sipas tij kohët e fundit ka rënë numri i testimeve.

Ai tha se nëse do të kishte pasur rënie të të infektuarve, do të kishte pasur edhe rënie të të shtruarve në spital.

Ilir Alimehmeti: Është një situatë stabël përsa i përket epidemiologjisë. Kemi ulje të rasteve të reja. Ajo që na intereson është spitali. Shumica dërmuese janë të pa-imunizuar. Ndryshimi më i madh është numri i testeve. Nuk është se kemi një rënie të madhe, por ka ulje të testimeve. Indikatori më i madh është spitali. Nëse do kishte pasur rënie të rasteve do të kishte dhe rënie të shtruarve në spitale, por kjo nuk ka ndodhur.

Popullsia është më shumë e pavaksinuar dhe nuk kanë fituar imunitet. Ne shqetësohemi për format e rënda. Në spital janë persona të paimunizuar.

Ai thotë se shqetësues është varianti “Delta” dhe sipas tij ky variant është mbizotërues në vendin tonë. Por pavarësisht variantit, mjeku thotë se ky dimër do të jetë më i lehtë se vitin e kaluar.

Ilir Alimehmeti: Problemi përballë nesh është “Delta”  është një variant mbizotërues. Nuk duhet të heqim fokusin. Ky Dimër këtu neve na gjen me “Deltën”. Nuk ka si të jetë më e rrezikshme se vitin e kaluar, pasi është fituar imuniteti, trajtimi është më i mirë. Do të jetë një dimër më i lehtë se viti i kaluar. Nuk do të krijohet kolaps spitalor. Tani ne dimë se çfarë duhet të bëjmë, protokollet janë shumë më të qarta. 

Përsa i përket dozës së tretë, epidemiologu tha se kjo dozë nuk është përforcuese por plotësuese.

Ilir Alimehmeti: Mendoj nuk do të ketë nevojë për dozën e tretë.  Doza e tretë është plotësuese dhe jo përforcuese.

Sot kemi një vaksinë që është shumë efektive kundër koronavirusit. Njerëzit nuk janë njëlloj me njëri-tjetrin.  Vaksina është efektive deri në 6 muaj.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.