Mbi 5000 deklaron Basha dhe rreth 5000 Berisha, gazetari pyet Bardhin: Sa delegatë ka Kuvendi Kombëtar i PD?
Deklaratat nga dy palët brenda Partisë Demokratike për numrin e delegatëve që kanë me vete në dy Kuvendet e thirrur prej tyre, 11 dhe 18 dhjetor, kanë pas ka futur në konfuzion dhe median.
Natyrshëm lind edhe pyetja: Sa delegatë ka në total Kuvendi i PD?
Pyetje: Ju deklaroni se pjesëmarrja në Kuvendin e 18 dhjetorit është 69%, nga ana tjetër edhe Berisha deklaron se ka rreth 5000 firma të delegatëve.Sa anëtarë të Kuvendit Kombëtar ka PD?
Bardhi: Ka një diferencë të madhe midis konfirmimit të pjesëmarrjes dhe pretendimit për ekzistencën e firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Ju e dini se procesi i kërkesës për thirrjen e Kuvendit ka nisur në javën e dytë të shtatorit dhe ka vijuar deri në 10 nëntor.
Ndërkohë procesi i konfirmimeve për pjesëmarrjen nënkupton se kush është Kuvendi legjitim i një partie. 5259 anëtarët e Kuvendit Kombëtar kanë konfirmuar pjesëmarrjen, nuk kanë kërkuar thirrje të Kuvendit.
Nuk është sekret tu them që një pjesë prej anëtarë të Kuvendit Kombëtar kanë deklaruar gjatë këtij procesi që mund të kenë firmosur se kanë gjykuar se kishte nevojë për kuvend por nuk mbështesin as retorikën përçarëse as tentativën për përçarjen e PD dhe kanë zgjedhur të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në 18 dhjetor.
Në total Kuvendi ka 7646 anëtarë prej të cilëve 5259 kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin e 18 dhjetorit. Konfirmimi për të marrë pjesë në Kuvendin e datës 18 nënkupton edhe për dikë që ka firmosur për thirrjen e Kuvendit heqjen dorë nga ajo kërkesë. Kërkesa e tyre nuk ka qenë për të përçarë partinë siç e finalizoi për fat të keq doktor Berisha gjithë lëvizjen e tij.


