“Foltorja” ka gati ndryshimin e statutit të PD, Ristani: Pas Kuvendit zgjidhet kryetari i partisë dhe degëve

Grupi i deputetëve dhe ish-zyrtarëve demokratë të mbledhur rreth Foltores së Berishës, po i jep dorën e fundit ndryshimeve statutore të cilat do hidhen për votim në Kuvendin e thirrur në 11 dhjetor. Arben Ristani tha se Kuvendi i thirrur nga demokratët dhe Berisha, është fillimi i një procesi që synon jo vetëm ndryshimin e kryetarit por dhe strukturimin në degë të Partisë Demokratike.

Grupi nismëtar i "Foltores" po punon dhe thuajse ka gati  ndryshimet në stautin e Partisë Demokratike, të cilat do të hidhen për votim në Kuvendin e thirrur në 11 dhjetor nga Sali Berisha. 

Në Kuvend do të votohet edhe për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar e nga ky moment parashikohet të nisë një proces ristrukturimi në Partinë Demokratike.

Ristani: Ky Kuvend nuk do ta mbyllë këtë proces por do ta hapë atë. Pas Kuvendit do të ketë zgjedhje në të gjitha degët e PD, dhe zgjedhje të kryetarit të PD me sistemin një anëtar një votë. Thashë kjo mbetet në vullnetin e anëtarëve të PD. Ndërkohë zoti Berisha është tërësisht i lirë në vullnetin e tij, për të ofruar punën e tij dhe mundësitë e tij për PD. Për mendimin tim Kuvendi i vetëm është ai i vullnetit të anëtarësisë të PD-së, i cili do të mblidhet në datën 11.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, thotë se demokracia është vullneti i shumicës dhe shumica do të mblidhet në datë 11.

Ristani: Nuk do të ketë në 18 një Kuvend, të paktën jo një Kuvend shumice. Do të ishte në nder dhe të pakicës të vinte në Kuvendin e shumicës, të kishte mundësinë të verifikonte mbledhjen e shumicës dhe në këtë mënyrë të shkonim të gjithë drejt një procesi të rregullt e të pranuar nga të gjithë.

Arben Ristani thotë se nuk ka një betejë mes Bashës dhe Berishës por një betejë mes anëtarëve të Partisë Demokratike dhe Bashës, i cili, thotë ai, shkel statutin  duke dëmtuar forcën më të madhe opozitare, duke e çuar nga humbja në humbje.