GJKKO dënon me 8 vite burg ish-shefin e krimeve të policisë Vlorë

Ish-zyrtari i policisë së Vlorës, Gjergj Kohila, është dënuar në mungesë me 12 vite burg. Gjykata e Posaçme e zhvilloi procesin me procedurë të shkurtuar dhe ish-zyrtari përfiton uljen e nje të tretës së dënimit. Kohila është akuzuar se bashkë me zyrtarë të tjerë të policisë, nuk ka vepruar ndaj parcelave me drogë në Vlorë duke krijuar lehtësi për grupet kriminale që trafikonin kanabis drejt Italisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë ka dënuar me 12 vite burg ish zyrtarin e policisë së Vlorës, Gjergj Kohila, i akuzuar së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri për trafik të lëndëve narkotike dhe grup të struturuar kriminal.

Kohila është gjykuar në mungesë pasi nuk është prangosur ende nga policia ndërsa avokatët e tij kërkuan të aplikohej gjykimi i shkurtuar.

Një seancë më parë prokuroria ka kërkuar 12 vite burg për ish-zyrtarin duke e konsideruar fajtor.

Prokuroria përmend në dosje se për kryerjen e veprimtarisë kriminale, dy vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj gjetën mbështetjen e ish-shefit të Stacionit të Policisë Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode, i cili mbajti këtë detyrë nga dhjetori i 2013-s deri në maj të 2016-s.

Dyshohet se ish-zyrtari Bode i siguroi grupit të trafikut të drogës zhvillimin e lirshëm të aktivitetit, përmes shmangies së kontrolleve policore në parcelat me lëndë narkotike dhe mjetet që transportonin kanabisin drejt Italisë.

Në këtë aktivitet kriminal, shefi i policisë Sokol Bode, krahas implikimit me trafikantët e grupit ka bashkëpunuar edhe me dy ish-zyrtarë të tjerë të policisë, drejtorin Jaeld Çela dhe shefin kundër Drogës dhe Trafiqeve, Gjergji Kohila.

Tahiri u gjykua së bashku me Jaeld Çelën dhe u shpall fajtor nga shkalla e parë vetëm per akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa iu rrëzuan akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal.

Tashmë çështja do të gjykohet edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit.