Manja denoncon korrupsionin në Kadastrën e Durrësit, në Korçë doganieri u punësua me dokumente false
Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka denoncuar në Prokurori tri raste të reja abuzimi në Kadastrën e Durrësit ku tha se janë dhënë lejet e legalizimit e më pas janë plotësuar dosjet e pronave. Njësia Antikorrupsion ka zbuluar po kështu edhe një rast korrupsioni në zyrën e Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë dhe një doganier të punësuar me dokumente false në Korçë.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka vijuar paditë në Prokurori për ato që i cilësoi raste të rënda të korrupsionit në institucione.
Ai bëri me dije se janë çuar për ndjekje penale tri raste flagrante në Kadastrën e Durrësit që kishin të bënin me mosrespektim të procedurave, po rasti më flagrant ishte ai kur një qytetari iu dha legalizimi pa bërë ende dokumentet.
“Është printuar leja e legalizimit dhe i është dhënë qytetarit dhe më pas janë bërë procedurat. Data e dhënies së lejes është më parë se të bëheshin dokumentet. Është e kuptueshme se cilat janë interesat që të çojnë drejt shkeljes së ligjit dhe procedurave”, shtoi ai.
Rama i kapi dy peshq të mëdhenj
1 Dhjetor, 14:34
Kreu i drejtësisë denoncoi edhe një rast në Korçë, ku një punonjës i doganës u punësua pasi kishte falsifikuar dokumentet e shkollës.
“Një nëpunës është bërë pjesë përmes dokumenteve shkollore të falsifikuara. Përveç doganierit ne kemi denoncuar edhe noterin, për të cilin kemi kërkuar edhe hetimin disiplinor. Rasti i fundit ka të bëjë me drejtorinë er DSHTRR, që lidhet me ryshfetin direkt në sportel”, tha Manja.
Nje tjetër shqetësim i ngritur nga Ministri i Drejtësisë ishte edhe evidentimi i shumë rasteve kur është bërë zgjatja apo rinovimi i lejeve të skaduara të ndërtimit nga Gjykatat Administrative apo Bashkitë, sidomos ato bregdetare.
"Po trajtojmë disa raste abuzive të rifreskimit të lejeve zhvillimore në bashkitë në vijën bregdetare dhe në përfundim të tyre nëse do konstatojmë shkelje të ligjit për planifikimin e territorit nuk do të hezitojmë të kallëzojmë penalisht personat përgjegjës që kanë kryer këto shkelje."
Njësia Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka një rrjet kordinatorësh, të cilët monitorojnë 47 institucione shtetërore, kryesisht për rastet e korrupsionit.

