Aksidentohet ambulanca e Krujës në rrugën e Rinasit vdes pacientja
Një paciente e vdekur dhe 5 persona të plagosur është ky bilanci i një aksidenti ku u përfshi ambulanca e spitalit të Krujës mesnatën e së shtunës në zonën e mbikalimit të Kasharit. Sipas policisë mjeti spitalor që po trasportonte gruan e sëmurë drejt Tiranës, ka kryer parakalim të gabuar ndërkohë që edhe drejtuesi i mjetit tjetër rezultoi se kishte konsumuar pijë alkoolike.
Një paciente 42-vjeçare mbeti e vdekur në vend si pasojë e aksidentit tragjik në të cilin u përfshi ambulanca e spitalit të Krujës në zonën e mbikalimit të Kasharit në orët e vona të së shtunës.
Mjeti spitalor që ishte nisur nga Kruja për të transferuar në Tiranë pacienten Anila Berdaku është përplasur me një automjet tip "Golf" si pasojë e një parakalimi të gabuar.
Makina private që u përplas me ambulancën mësohet se ka qenë duke lëvizur nga Kashari në drejtim të aeroportit.
Aksidenti ka qenë fatal për jetën e pacientes e cila nuk i ka mbijetuar plagëve të marra.
I plagosur mbeti edhe shoferi i ambulancës Ilir Shullazi, i cili ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës.
Lëndime kanë pësuar edhe infermieri Arjan Balluku, shoqëruesja e viktimës Marsida Berdaku dhe pasagjeri në mjetin privat.
Policia ka kryer testin e alkoolit për drejtuesin e mjetit që u përplas me ambulancën, Antigon Abazi, i cili ka rezultuar në gjendje me 0.28mg/l në gjak.
Një analizë për konsum të alkoolit i është kryer edhe shoferit i autoambulancës ndërkohë që prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Paraprakiht grupi i hetimit ka vendosur që shoferi i mjetit të spitalit të Krujës Ilir Shullazi të ndiqet penalisht në gjendje arresti e ndërsa Antigon Abazi, në gjendjë të lirë. Ndërkohë në një aksident tjetër në orët e para të së dielës, ka mbetur i plagosur një punonjës i policisë së Krujës me iniciale N.H, 57 vjec.
Ai humbi drejtimin e mjetit teksa lëvizte në Dreven të Krujës ndërkohë që fatmirësisht nga kjo ngjarjë nuk nuk pati viktima.