Djali shkoi te shtëpia, por nuk ju përgjigj askush/Policia hapi derën me forcë në Golem dhe gjeti personat e pajetë

Një ngjarje rëndë tronditi Golemin pasditen e sotme 27 nëntor, ku një burrë dhe një grua u gjetën të pajetë në banesë.

Dyshimet e para janë se ata kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga gazi, për shkak se fqinjët kanë konstatuar një aromë të rëndë gazi, raporton gazetari i Rtv Ora News, Mark Brunga.

Viktimat janë Mihal Jani, 60 vjeç banues në Golem  dhe Anila Llulla, 50 vjeçe, banuese në Tiranë.

Ora News mëson se 50-vjeçarja ishte larguar nga banesa e saj dy ditë më parë,  më datën 25 nëntor 2021.

Ditën e djeshme djali i saj ka bërë kallëzim në polici se i ishte larguar nëna nga banesa.

Ndërkohë mësohet se djali i 60-vjeçarit e ka telefonuar gjatë ditës së djeshme dhe sot babanë e tij, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Më pas, pasditen e sotme, djali i 60-vjeçarit ka shkuar te shtëpia, por nuk ja ka hapur derën askush.

Ai ka kërkuar ndihmën e policisë dhe zjarrfikëses dhe në orën 17:45 në prani të djalit të 60-vjeçarit forcat policore kanë hapur derën me forcë.

Në banesë janë gjetur të dy të pajetë.

Paraprakisht mendohet se shkak ka qenë asfiksia nga gazi pasi dhe komshinjtë kanë ndjerë erën e gazit.

Dyshohet se mund të kenë vdekur mbrëmë.