"109 vjet shtet", Plaka: Që nga dita e themelimit shteti shqiptar nuk pati dot një ditë qetësi
Shqipëria feston 109 vjetorin e Pavarësisë. Gazetari Armand Plaka i ftuar në studion e RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja u shpreh se që nga dita e themelimit të vendit në 1912 shteti shqiptar nuk pati dot një ditë qetësi.
Plaka: 10 vjeçari i parë ka qenë sidomos shumë problematik, por vetë baballarët e kombit nuk do ta besonin se sa probleme të mëdha do të përjetonim në vitet e ardhshme.
Zoti Plaka foli për rolin që ka pasur hapësira gjermanike në Pavarësinë e Shqipërisë. Ai tha se është një fakt i njohur kontributi i asaj që quhet hapësira gjermanike në lidhje me studimet shqiptare në tërësi dhe sidomos në Albanologji.
Plaka: Ekspertët më të mirë të kësaj fushe gjenden të paktën në 200 vitet e fundit brenda sinorëve të kësaj hapësire, po r nuk duhet mohuar dhe hapësira rreth e rrotull. Vërtet themi hapësira gjermanike, por është ish perandoria austro-hungareze në distancë, në krahasim me pjesën veriore ku u bë Gjermania e sotme. Në terma të përgjithshëm duhet të jemi falenderues për jehonën që i kanë bërë hapësirës shqiptare.
Gazetari më tej tha se "kemi 30 vjet që themi se përkrahim vendimet e Kongresit të '72 dhe nga ana tjetër nuk jemi në gjendje të zhvillojmë një kongres që të marrim një vendim i cili do t'i vinte një herë e mirë pikat mbi I. "
Plaka: Nuk mund të mohojmë që gjatë këtyre 30 viteve ka pasur shumë zhvillime, nuk mund të mohojmë ndërhyrjen e politikës si në çdo fushë në atë kohë, por nga ana tjetër nuk mund të mohojmë përpjekjen e gjithë atij brezi gjuhëtarësh apo kontributorësh të cilët me synime shumë të mira ishin për një gjuhë të standardizuar i cili përbën një hap shumë pozitiv. Ka ardhur koha që të gjejmë konsensusin dhe të bëjmë një Kongres të ri gjuhësor të çliruar nga diktatura, nga shabllonet dhe nga çdo gjë tjetër që e pamundësonte rrugëtimin për të arritur në një përfundim sa të më balancuar.
Ditën e djeshme, 26 nëntor Shqipëria dhe Kosova zhvilluan mbledhjen e 7-të të përbashkët mes dy kombeve. Një nga vendimet që u mor ishte dhe unifikimi i abetares për të dyja vendet tona.
