Bashkia Tiranë asnjë masë për të mbushur "liqenet e vogla", qytetarët: S'i kemi asnjë borxh shtetit që jetojmë këtu
Shirat që përfshinë Shqipërinë kanë shkaktuar përmbytje në lagjet e kryeqytetit të lëna pa investime prej kohësh. Në rrugën "Vangjel Noti" në laprakë dhe "Loni Ligori" në Astir gropat janë kthyer në pellgje me ujë që pse jo nëse merr një grep me vete mund të kesh fatit të kapësh dhe peshq.
Nuk keni nevojë të shkoni në Durrës e as në liqen për të peshkuar. Reshjet e shiut kanë bërë që liqenin ta gjeni në lagje të ndryshme të Tiranës.
"Jo për peshk, këtu është për bretkosa."
Reshjet e shiut kanë bërë që gropat të kthehen në pellgje të mëdha me ujë që vështirësojnë kalimin e këmbësorëve por dhe automjeteve në rrugën "Vangjel Noti" në Laprakë.
"30 vjet që nuk kanë vënë dorë te kjo rrugë, sot është ditë pushimi, por nëse vjen gjatë javës në mëngjes shikon nënat që i marrin fëmijët në shpinë për t'i nxjerrë që t'i çojnë në kopsht ose shkollë. Nuk ka asnjë ambient as për moshat e vogla, kënd lojërash nuk bëhet fjalë, as për ne moshën e tretë."

Banorët thonë se për të gjithë janë në dijeni për rrugën të cilën e kanë parë kur kanë shkuar për të kërkuar vota.
"Këtu vijnë vetëm për vota, marrin votat dhe rrugën po e shikoni vetë."
Qytetarët bëjnë përgjegjëse bashkinë si institucioni që duhet të marrë masa sa më pare për zgjidhjen e këtyre problemeve madje i sugjerojnë kryebashkiakut që të shkojë në zonë.

"Kryebashkiaku i Tiranës është mandati i dytë dhe deri në këtë minutë këtu nuk ka ardhur. Të vijnë dhe ta shohin konkretisht. Ne si gjithë të tjetër paguajmë ët gjtiha detyrime, njësoj si ata që janë në Bllok. Nuk i kemi asnjë borxh shtetit dhe pse jetojmë në këtë ambient."
Por nëse doni që të ndryshoni destinacion mund të vini për të peshkuar dhe në "Astir" në rrugën "Loni Ligori."
Edhe kjo lagje sa herë që ka shi përmbytet. Ndërsa banorët të cilët përballen çdo ditë me këtë situatë, thonë se bashkia i kushton më shumë rëndësi reklamimit të lulishteve sesa zgjidhjes reale të problemeve të tyre.


