LSI i përgjigjet Bardhit, Braimllari: Duhet të jesh para drejtësisë për vrasjen në Elbasan
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar zonjën Monika Kryemadhi se gjatë fushatës zgjedhore nuk u duk asnjëherë në Elbasan për shkak se kandidonte në 3 qarqe.
Sekretari i Përgjithshëm i SLI-së, Endrit Braimllari i ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj i është përgjigjur deklaratave të Bardhit.
Braimllari: Unë e kuptoj sikletin që ka Bardhi sepse ai ka mbi supe një ngjarje shumë të rëndë në Elbasan. Është humbja e jetës së një qytetari dhe sot ai duhet të ishte para drejtësisë për këtë çështje, duhet të kishte lënë mandatin e deputetit. Është pikërisht kjo ngjarje e rëndë ku humbi jetën një qytetar e cila shkatërroi fushatën e opozitës. Demotivoi votuesit, frikësoi votuesit në qarkun e Elbasanit, por dhe në gjithë Shqipërinë.
Sipas Braimllarit Bardhi ishte në vendin e ngjarjes dhe këtë duhet ta zbardhë drejtësia.
Braimllari: Kjo ngjarje e rëndë e humbjes së jetës është papërgjegjshmëria e drejtuesit dhe personave në atë qark. Ja u them me bindje të plotë që Basha në fushatë ne 25 prillit kishte bërë 5 ministra të Brendshëm. Ne absolutisht nuk kemi bërë premtime të tilla se nuk ka ndarje pushteti para 25 prillit me zotin Basha. E vetmja gjë që Kryemadhi i ka kërkuar Bashës në tavolinë dhe kjo është zyrtare është të mos tradhtohet kauza e opozitës për interesa personale.
Më tej ai shtoi se nuk kanë kërkuar numra në listën e PD-së dhe deputetë hua për të krijuar grup parlamentar fiktiv apo ndarje pushteti.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku
