Viti i Naim Frashërit, përmbyllen aktivitetet e Selisë së Shenjtë Bektashiane në ndër të poetit

Aktivitetet e organizuara gjatë një viti nga Selia e Shenjtë Bektashiane në nder të poetit Naim Frashëri u përmbyllëm me promovimin e librit të autorëve Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni.

Në kuadër të mbylljes së projektit të realizuar nga Selia e Shenjtë Bektashiane, “Viti i Naim Frashërit” u bë promovimi i librit “Naim Frashri, Apostull dhe bilbil i shqiptarizmës”, i autorëve Kujtim Boriçi dhe Nuri Çuni.

Në këtë aktivitet, morën pjesë drejtues e përfaqësues të besimeve fetarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, përfaqësues të institucioneve shtetërore të këtyre vendeve dhe akademikë.

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha se përkujtimi i përvjetorëve të Naim Frashërit tashmë është kthyer në traditë.

"Poeti i madh, bektashiu Naim Frashëri është dhe do mbetet gjithmonë simbol drite, diturie, adhurimi për miliona bektashinj në botë, ndërsa për shqiptarët kudo që ndodhen mbetet modeli i atdhetarizmit dhe njeriu që deshi e pasuroi si askush gjuhën e mrekullueshme shqipe."

Për vlerat e këtij libri folën akademikë e studiues.

"Autorët me të drejtë i kanë mëshuar faktit se Naimi drejtohej në qëndrimet e tij nga mësimet dhe idetë e bektashizmit."

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shpërndau disa mirënjohje për akademikët dhe historianët që kontribuuan në përgatitjen e këtij libri dhe në aktivitete njëvjeçare të “Viti i Naim Frashërit.”