"Basha bëri betejë personale", Braimllari: LSI i qëndroi korrekte opozitës, nuk pati përpjekje zyrtare për listë të përbashkët
Pas zgjedhjeve të 25 Prillit u vu re një përçarje mes PD-së dhe LSI-së. Më pas përçarja u thellua me akuzat që palët filluan t'i bënin njëra-tjetrës.
Ishte Gazment Bardhi ai i cili hodhi akuzat e para drejt LSI-së duke thënë se "përpara zgjedhjeve të 25 prillit “i ishin ofruar LSI-së 15 deputetë të sigurt në një listë të përbashkët, por ajo refuzoi sepse parashikonte të fitonte e vetme 34 të tillë”.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e quajti mashtrim deklaratën e Bardhit.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari i ftuar në studion e Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se pas zgjedhjeve të 25 prillit pozicioni i LSI-së ishte shumë i qartë. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, kryetarja e partisë, Monika Kryemadhi e bëri të qartë publikisht realitetin ku kaloi 25 prilli dhe ku ndodhej LSI-ja.
Braimllari: Ne nuk kemi marrë përsipër të komentojmë një garë apo një problem të brendshëm të PD-së. Kemi qenë të distancuar pasi jemi të fokusuar te masakra zgjedhore për të zbardhur të vërtetën e 25 prillit dhe për të zbardhur me fakte atë që ndodhi. 25 prilli ishte një goditje shumë e rëndë ndaj opozitës e cila nëse do kishte një bashkëpunim më të fortë në terren dhe më konsoliduar, mendoj që mund të ishte elminuar.
Braimllari u shpreh se LSI i qëndroi korrekte opozitës dhe kurrsesi nuk e vendosi në dyshim aksioni opozitar duke marrë disa vendime shumë drastike dhe për vetë LSI-në, por e bëri ëpr arsye që të qëndronte bllok me opozitën.
Braimllari: Ajo që ndodhi qartë ishte se kryetari i PD-së, Basha nuk kishte një vullnet për të bërë një fushatë të fortë në terren në frymën e një ekipi. Kjo nuk është thjesht kundrejt LSI-së, por i gjithë fronti opozitar ngriti këtë shqetësim pas 25 prillit.
Por a u vra ky bashkëpunim në momentin kur kryetarja Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha nuk e gjetën dot gjuhën për të dalë me një listë të përbashkët?
"Nuk ka asnjë përpjekje të tillë për të pasur një listë të përbashkët," tha sekretari i LSI.
Sipas tij, nuk ka përpjekje zyrtare qoftë nga ana e PD, qoftë nga LSI. Ajo që është parë si një përpjekje serioze e frontit të bashkuar opozitar ka qenë angazhimi i LSI për t'i qëndruar korrekt Lulzim Bashës dhe opozitës.
Braimllari: Nga 2017 e deri tani LSI luajti një rol konstruktiv në këtë drejtim. Në momentin që njoftoi të linim mandatet, unë kam lënë mandatin. Ne morëm një vendim grupi dhe ju bashkuam sepse teoria e tij ishte shumë e qartë. Mandatet do lihen se ky është një plan gjerman dhe pasi të lihen mandatet do kemi zgjedhje të parakohshme për t'u kthyer në pushtet. Në 25 prill nuk u pa në terren një aksion i përbashkët për të sjellë opozitën në qeverisje. Është apo nuk është lista e përbashkët, nëse ka frymë të përbashkët për ta fituar, nëse ka betejë të përbashkët të jeni të bindur që gjithçka ishte në favor të opozitës për të fituar.
Zoti Braimllari tha se Lulzim Basha bëri përpjekje personale, për të bërë një betejë personale. Sipas tij kjo është e qartë.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Xhuljana Zhuleku