Murati: Nëse krijojmë një komb tjetër kosovar, do hapim kutinë e Pandorës, do jetë problematik

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës firmosën 13 marrëveshje  dje  (26 nëntor) në Elbasan.

Për këtë kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, thotë se një ndër problemet e këtyre mbledhjeve ndër vite ka qenë realizimi i tyre në praktike.

I ftuar në studion e RTV Ora, Murati foli për çështjen e identitetit kosovar, duke thënë se ideja e krijimit të një kombi tjetër kosovar do ishte e pabazë dhe problematike.

Valon Murati:"Në momentin që ne në Kosovë bëjmë përpjekje për të krijuar një komb tjetër, një komb kosovar, ai do të jetë kaq pa bazë, ai do të hap kutinë e Pandorës . dhe në vend të një kombi liberal do krijosh një hapësirë në Kosovë të përçarë, do depërtojnë ekstremizëm të ndryshëm radikal, fetar, politik, ku do depërtojnë rryma të ndryshme."

Si e përcollët takimin mes kryeministrin Rama dhe homologut Kurti?

Valon Murati:"E kam ndjekur me shumë vëmendje se çfarë ecurie do ketë përpjekja për tu implementuar këto marrëveshje. Një prej problemeve themelore ka qenë implementimi tyre në praktikë.

Është ezauruar potenciali i këtyre mbledhjeve, duhet shkuar një hap më tutje. Unë e kam një shpresë, duhet të shohim se sa efekt do ketë në realitet."

Midis Durrësit dhe Prishtinë është një hekurudhë për tu ndërtuar. Ka një rrugë kombi, e cila nuk ka ardhur ende në Durrës. Por si Shqipëria dhe Kosova kanë një rrjete të amortizuar hekurudhor. Jemi në hapat e parë të ndërtimit të infrastrukturë. A duhet të gëzohemi, apo të mërzitemi për këtë fakt?

Valon Murati: "Ne në histori kemi qenë shumë të vonuar. Nuk duhet të shohim vetëm anën negative, nuk duhet të kritikojmë. E shoh të rëndësishme lidhjen me hekurudhë të Prishtinës me Durrësin. Kam shpresë se kjo marrëveshje, në ndryshim nga rruga e kombit që nuk u përkrah  shumë nga bashkësia ndërkombëtare, kjo hekurudhë po vjen në një tjetër koncept gjeopolitik për rajonin. Është pjesë edhe e nismave të procesit të Berlinit, edhe marrëveshjes se Uashingtonit. Çështja e financimit të linjës hekurudhore do të jetë më e lehtë për tu gjetur. Hekurudha bashkë me rrugën e kombit do ndikojë në një fuqizim të jashtëzakonshëm gjeopolitik si nga ana e Kosovës, ashtu edhe nga ana e Shqipërisë."

Cila është vlera e Bashkimit Kombëtar, nëse të gjithë shqiptarët kërkojnë  të largohen, shqiptarët e Shqipërisë, e Maqedonisë Veriore dhe shqiptarët e Kosovës. Çfarë po ndodh, pse kjo dinamik kaq e madhe e largimit të shqiptarëve?

Valon Murati: "Qoftë Shqipëria, qoftë Kosova kanë ecur përpara shumë më shumë se në të kaluarën. Sigurisht jo aq sa ne do donim. Jam i prirur ta shoh fajtorin e brendshëm. Por edhe në kontekst rajonal. Mos e harrojmë se në të njëjtën situatë është dhe rajoni.

Kemi shumë hapësirë për të punuar dhe migrimi i sotëm nuk është i njëjtë me migrimin mëparshëm. Ne dhe mund të përfitojmë nga këto lëvizje. Investimet në Shqipëri janë nga njerëz që kanë punuar jashtë.Për çështjen e identitetit kosovar, apo kombit kosovar. Nuk ka diçka më moderne dhe gjithëpërfshirëse, se sa ideja e kombit shqiptar. Vetëm përmes kombit shqiptar ne kemi arritur, që shoqërinë tonë me shumë fe ta unifikojmë përmes gjuhës, kulturës dhe projektit politik."